Kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, Nancy Pelosi ka rikonfirmuar gjatë një konference për media në Bruksel, përkushtimin e SHBA-së për NATO-n dhe respektin ndaj Bashkimit Evropian.
Pelosi i ka bërë këto komente pas pjesëmarrjes së delegacionit amerikan në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Duke përmendur qëndrimin amerikan për një bashkëpunim sa më të fuqishëm me aleancën veri-atlantike, ajo ka rikujtuar kohën kur SHBA-ja ka nënshkruar paktin me NATO-n.
“Kur presidenti Truman ka nënshkruar marrëveshjen me NATO-n, 70 vjet më pare, ai ka thënë se një gjë e tillë përbën një hap të madh drejt paqes së përjetshme në gjithë botën”, është shprehur Pelosi.
Komgresmeni, Bill Keating ka thënë se aleanca aktualisht është duke u përballur me armiq të njëjtë, duke vënë theksin te Rusia dhe Kina, mirëpo sipas tij koalicioni ekzistues mes vendeve anëtare të NATO-s bën dallimin.
“Ne kemi një koalicion dhe kjo është ajo që na bën neve të fuqishëm. Ky koalicion na duhet për t’u përballur edhe me sfidat tjera siç janë ndryshimet klimatike, të drejtat e njeriut, zhvillimi i armëve bërthamore. Të gjitha këto nuk mund të bëhen nga një shtet, andaj ne rikonfirmojmë edhe një herë këtë koalicion historik”, është shprehur ai.
Delegacioni amerikan ka marrë pjesë edhe në Konferencën e Mynihut, në të cilën janë diskutuar çështje të sigurisë.