Në muajt e ardhshëm statuja e heroit tonë kombëtar, Gjergji Kastrioti Skënderbeu do të vendoset në parkun qendror të Budapestit, përballë statujës së bashkëkohësit të tij, heroit të Hungarisë, Janosh Huniadit.
Me nismë nga Bashkia e Tiranës, në Qendrën e Realizimit të Veprave të Artit, skulptori Agim Rada ka nisur punën për realizimin e monumentit të Skënderbeut, i cili më pas do të vendoset në kryeqytetin e Hungarisë, në shenjë nderimi dhe kujtimi për miqësinë dhe bashkëpunimin që heroi ynë ka pasur me Huniadin, por edhe për miqësinë që vijon mes dy popujve dhe dy kryeqyteteve.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falënderoi artistin Rada për punën që po bën dhe theksoi se realizimi i kësaj vepre është një premtim i mbajtur ndaj Bashkisë së Budapestit, e cila pret që ta vendosë atë në parkun kryesor të qytetit.
“Jam shumë i lumtur që duararti Agim Rada ka marrë përsipër të riprodhojë bustin e Skënderbeut për ta vendosur në Budapest. Është një mënyrë se si mbajmë një premtim ndaj miqve tanë, për të promovuar këtë miqësi të lashtë midis Skënderbeut dhe Janosh Huniadi. Bashkia e Budapestit ka përcaktuar vendin dhe presin nga pala jonë që t’u çojmë një bust. Nuk mund të mendoja një skuadër më të mirë se sa Agim Rada dhe duarartët e tij, që të realizonin këtë vepër dhe besoj se në pranverë do jemi gati për ta çuar në Budapest, për të mbajtur fjalën, por sigurisht edhe për të çuar në fund një amanet nga të parët tanë, për të përkujtuar këtë lidhje dhe aleancë shumëvjeçare”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Skuptori Agim Rada premtoi se do ta mbarojë në kohë veprën, ndërsa u shpreh se busti që do të realizohet do të mbështetet mbi statujën e realizuar më parë nga i madhi Odhise Paskali.