Shumica absolute e zanatlinjve mëngët i përvjelin në adoleshencë. Atëherë kur krahas shkollës duan të marrin edhe një zanat.
Por jo gjithnjë është kështu. Mustafë Ramadani bën përjashtim. Zanatin e gdhendjes së drurit ai e nisi pas pensionimit. Krejt rastësisht e dalëngadalë, ai tash e 12 vjet gdhend gjëra të vogla, në shumë lloje të drurëve.
E nisi duke dashur që të kthejë në kujtesë në formë të dekoreve gjëra që dikur kanë qenë mjete pune, por që ka kohë që nuk përdoren më, si parmenda e zgjedha e qeve. Të tjerët do ta mësonin se është më mirë të punonte gjëra që janë funksionale, si puna e lugëve, shkruan sot Koha Ditore.
Një takim krejt i rastësishëm me një grua, emri i së cilës nuk i kujtohet, do të bëhej sebep për të pasuruar menynë e biznesit. Prodhimet e tij i shet më shpesh në sheshin e kryeqytetit, e ndonjëherë edhe në panaire.