Çmimi i naftës së papërpunuar ka shënuar sot një ulje si pasojë e kritikave të presidentit amerikan Donald Trump në drejtim të OPEC-ut, që sipas tij po rritë çmimet në mënyrë të papërballueshme për botën.
Treguesi ndërkombëtare e naftës së papërpunuar “Brent”, fillimisht shënoi ulje të çmimit me 3,3 % të hënën, më saktësisht në 64,93 dollarë për fuçi, për të vazhduar trendin edhe të martën duke rënë në 64,86 dollarë për fuçi.
Ndërkohë edhe treguesi amerikan i naftës së papërpunuar “West Texas Intermediate” (WTI) ka shënuar ulje me 3,3 %, më saktësisht në 55,45 dollarë për fuçi dhe të martën në 55,28 dollarë për fuçi.
“Çmimet e naftës janë të larta. OPEC, ju lutem relaksohuni dhe merreni me të qetë. Bota nuk mund të përballojë rritjen, është e brishtë”, kishte shkruar Trump në “Twitter”, duke shkaktuar një rënie të çmimeve, që është hera e parë në tre muajt e fundit, përcjell Atsh.
Të dy treguesit e naftës së papërpunuar, “Brent” dhe WTI, të premten arritën nivelin më të lartë që nga 16 nëntori i vitit të kaluar si rrjedhojë e marrëveshjes së OPEC-ut për kufizim të prodhimit, ndërkohë që sanksionet amerikane mbi Venezuelën dhe Iranin kanë ndikuar në rritje të çmimeve.