Një intervistë e nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri të dielën, ka nxitur një përplasje mes tij dhe Halil Matoshit, njëri prej këshilltarëve më të zëshëm të kryeministrit Ramush Haradinaj.
Haziri, i cili po ashtu mban postin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, ka deklaruar se pret që qeveria e vendit të rrëzohet, bashkë me taksën që ajo ka vënë ndaj Serbisë.
Kjo deklaratë e Hazirit e ka zemëruar ndihmësin e Haradinajt, duke bërë që ai t’i reagojë zyrtarit të lartë të LDK’së.
Matoshi e ka cilësuar Hazirin këshilltar të presidentit të vendit Hashim Thaçi, teksa ka vlerësuar se nënkryetari i LDK’së e kundërshton taksën, sepse, sipas tij, ajo ia prish atij planin për ndarjen e Kosovës.
E, Haziri ka reaguar menjëherë ndaj akuzave të Matoshit, në natën e së dielës. Duke folur për Gazetën Express, Haziri ka thënë se Matoshin nuk e merr seriozisht as shefi i tij.
“Halil Matoshin nuk e marrin serioz as ish kolegët e tij në media, e as shefi aktual i tij. Ai është njëri prej njerëzve ma jokonsistentë në qëndrime në jetën publike”, ka thënë Haziri.
“Është munduar të bëjë emër duke qenë herë rugovist, e herë antirugovist, herë militant i Hashim Thaçit e herë kinse kritikues i tij”, është shprehur Haziri.
“Herë pas here, ka dalë edhe kundër Veton Surroit, derisa i shkoi në përqafim në ORA”, ka kujtuar Haziri.
“Tek ma vonë, nisi të thotë që veç LDK është partia që e ruan shtetin, por i shkoi në ‘përqafim’ Ramush Haradinajt”, ka thënë Haziri, duke folur për Gazetën Express.
“Çka të them më shumë për të dhe kush e merr për serioz?!”, ka shtuar Haziri më tej.
“Njëmend, Halil, unë jam akuzuar një herë edhe për ndryshim të kufirit, edhe për terrorizëm bile! Po ta përsëris që e drejta e shqiptarëve të Kosovës Lindore është kauzë, është përpjekje për liri e bashkim. Për fund, Halil mos harro që me votat e presidentit dhe të partisë së tij je në Zyre të Kryeministrit!”, ka thënë nënkryetari i LDK’së, duke iu drejtuar drejtpërdrejt këshilltarit të Haradinajt.