Një ekip i hulumtuesve evropianë tha se një pacient britanik duket se është shëruar nga virusi që shkakton AIDS-in, pas trasplantit të disa qelizave.
Nëse këto gjetje, që janë publikuar në revistën Nature, konfirmohen, ky do të ishte suksesi i dytë i tillë në historinë e kërkimeve rreth AIDS-it.
Hulumtuesit nuk e identifikuan pacientin, duke thënë vetëm se ai është nga Londra dhe se është diagnostikuar me virusin HIV në vitin 2003.
Ai më vonë ëshrtë prekur edhe nga kanceri dhe në vitin 2016 ka rënë dakord për një transplant të qelizave burimore, për të provuar trajtimin e kancerit.
Sipas revistës Nature, mjekët e tij më pas kanë gjetur një doantor qelizash, i cili ka pasur një mutacion të gjeneve që i bënin rezistencë natyrore virusit HIV.
Hulumtuesit thanë se transplanti i qelizave e ka ndryshuar sistemin imunitar të pacientit nga Londra dhe se i ka dhënë atij rezistencën ndaj HIV-it.
Suksesi potencial është i dyti që më shumë se një dekadë, kur një rezultat i ngjashëm është arritur me një pacient nga Berlini.
Ky i fundit më vonë është identifikuar si Timothy Ray Brown, i cili tani jeton në SHBA.
Sipas ekspertëve, ai vazhdon të jetojë pa virusin HIV.
Rreth 37 milionë njerëz në gjithë botën jetojnë aktualisht me HIV.
Sëmundja e AIDS-it ka vrarë rreth 35 milionë njerëz qëkur ka nisur në vitet 1980.