Zyrtarët shëndetësorë amerikanë kanë thënë se një pacient ka vdekur pas një sëmundjeje të rëndë të traktit respirator, të cilët e kishte marrë nga thithja e të ashtuquajturave cigare elektronike.
Agjencia për shëndetësi në Illinois të Shteteve të Bashkuara tha se pacienti është mes moshës 17 dhe 38 vjeçare. Rasti u shënua në kohën kur është shënuar rritje e numrit të sëmundjeve të mushkërive në ShBA. Mjekët thonë se kjo po shkaktohet nga përdorimi i cigareve elektronike.
Qendra për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve njoftoi se rreth 200 persona në Shtetet e Bashkuara janë shtrirë në spital për shkak të thithjes së këtyre cigareve, të cilat reklamohen si më të pak dëmshme se duhani.
“Jemi të pikëlluar nga lajmi për vdekjen e parë nga përhapja e sëmundjes së mushkërive te personat që përdorin cigare elektronike”, tha drejtori i kësaj qendre, Robert Redfield. “Kjo vdekje tragjike tregon për rrezikun që vjen nga këto cigare”, shtoi ai.
“Përdoruesit e cigareve elektronike marrin shumë substanca për të cilat kemi shumë pak informata rreth dëmeve që i shkaktojnë”, tha Redfield.
Personat e prekur nga sëmundjet e mushkërive kanë shfaqur simptoma të kollës, shkurtim të frymëmarrjes, plogështi, vjellje dhe diarre, shkruan “BBC”.