Vizita në Kosovë e nënsekretarit për Çështje Politike në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Hale, këtë të premte dhe të shtune, si dhe arritja e diplomatëve gjermanë në fillim të javës së ardhshme pritet të jetë vendimtare rreth gjetjes së zgjidhjes për çështjen e taksës ndaj mallrave serbe.
Edhe kryeministri Haradinaj po kërkon garanci nga SHBA-ja për taksën.
Diplomatët amerikanë dhe gjermanë gjatë kësaj jave dhe në fillim të javës së ardhshme do të vijnë në Kosovë dhe në takime të ndryshme me liderët vendorë do ta diskutojnë çështjen e heqjes së taksës ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake.
Këto njëherësh vlerësohen si takime vendimtare për çështjen e taksës, ngase delegacionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që do ta vizitojë Kosovën më 8 dhe 9 mars 2019, do t’i prijë zëvendëssekretari për Çështje Politike në Departamentin e Shtetit, David Hale.
Nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë i kanë thënë gazetës “Zëri” se delegacioni i udhëhequr nga Hale do t’i takojë liderët shtetërorë të Kosovës.
“Nënsekretari për Çështje Politike në Departamentin e Shtetit, David Hale, planifikon të jetë në Prishtinë më 8-9 mars. Ai do të takohet me udhëheqës të ndryshëm shtetërorë”, thuhet në përgjigjen e kësaj Ambasade.