Një gjykatë në Shtetet e Bashkuara i ka tërhequr shtetësinë një gruaje myslimane e lindur në Bosnje dhe Hercegovinë, e cila ka fshehur përfshirjen e saj në krimet gjatë luftërave të fillim viteve të 90-ta në ish-Jugosllavi.
Departamenti i Drejtësisë në SHBA tha se gjyqtari, Marco Hernandez, më datë 1 mars, ia anuloi nënshtetësinë gruas së quajtur, Sammy Rasema Yetisen.
Autoritetet e Shteteve të Bashkuara thanë gjithashtu se Yetisen, e njohur gjithashtu si Rasema Handanovic apo Zolja, ishte pjesë e një njësie elite të ushtrisë së Bosnje-Hercegovinës që sulmoi fshatin Trusina më 16 prill 1993.
Ata thanë se sulmi që njihet edhe si masakra e Trusinës, ka shënjeshtruar kroatët e Bosnjës “për shkak të religjionit të krishterë dhe përkatësisë etnike kroate”.
Yetisen u pranua në Shtetet e Bashkuara si refugjate dhe u bë shtetase e natyralizuar në vitin 2002, sikurse një person tjetër nga Bosnja, Edin Dzeko.
Pas akuzave për përfshirjen e tyre në vrasjet e Trusina, Dzeko dhe Yetisen u ekstraduan në Bosnje dhe u dënuan nga një gjykatë për krime lufte. Ajo ishte gruaja e parë e dënuar nga një gjykatë boshnjake e krimeve të luftës.
Yetisen bashkëpunoi me autoritetet, duke dëshmuar kundër Edin Dzeko. Ajo u lirua pasi mbajti 5 vjet e gjysmë në një burg boshnjak dhe më pas u zhvendos në shtetin e Oregonit të SHBA-së.
Edin Dzeko, i cili u dënua në vitin 2014, mbetet në një burg në Sarajevë ku po vuan dënimin 13-vjeçar.
Në fillim të viteve të 90-ta, lufta e Bosnjës rezultoi me vdekjen e rreth 100,000 njerëzve dhe zhvendosjen e rreth 2,6 milionë të tjerëve.