Xhelal Sveçla, kryesues i Komisionit Hetimor Parlamentar për ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, ka treguar për shantazhet me të cilat janë ballafaquar gjatë punës së tyre për këtë rast. Reagime të forta kanë ardhur edhe nga tri ambasadat më të fuqishme të huaja në vend, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Reagime të forta kanë ardhur nga përfaqësitë e huaja diplomatike në Kosovë, Ambasada e Amerikës, e Britanisë së Madhe dhe e Gjermanisë, në prag të njëvjetorit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga vendi, duke e kualifikuar si të parregullt një dëbim të tillë.
Më 29 mars do të bëhet një vit prejse institucionet kosovare të sigurisë dëbuan gjashtë gylenistë, për të cilin veprim Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kritikoi Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Për ta ndriçuar këtë rast Kuvendi i Kosovës pati formuar një komision hetimor parlamentar, i cili kishte mandat katër muaj, me ç’rast për këtë periudhë arriti t’i evidentojë rreth 31 shkelje ligjore.
Përderisa mandati i tyre tashmë ka përfunduar, udhëheqësit e këtij Komisioni thanë se mandati duhet të zgjatet me qëllim që të evidentohen shkeljet e plota.