Komuniteti i biznesit vazhdon të kërkojë rifunksionalizimin e ish-Bordit të Pavarur për Rishqyrtime të Ankesave, ani pse pas dhjetë viteve të shuarjes , një të tillë më 19 dhjetor të vitit të kaluar e ka themeluar Ministria e Financave.
Në njoftimin e këtij dikasteri ishte thënë se ankesat e bizneseve do të zgjidhen brenda muajit, shkruan Gazeta Alo.
“Bizneset deri më sot kanë pritur me vite për zgjidhjen e ankesave nga ana e Divizionit fiskal pranë Gjykatës themelore në Prishtinë. Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Administratën Tatimore të Kosovës dhe procedurat, ankesa e biznesit do të zgjidhet brenda 30 ditësh”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Financave.
Por, krijimin e këtij bordi po e kundërshton komuniteti i biznesit duke thënë se përderisa ky bord do ti jep llogari dhe përgjegjësi Ministrisë së Financave nuk mund të jetë bord i pavarur.
Ish- Bordi i Pavarur për Rishqyrtimin e Ankesave është themeluar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2004 i përbërë nga 16 anëtarë, për të vazhduar punën deri më 31 dhjetor të vitit 2014.
Roli i këtij bordi ka qenë që të merret me ankesat e bizneseve në shkallën e dytë, pasi që e vetmja e drejtë e tyre për ankimim në shkallën e parë ka qenë ATK-ja, Dogana e Kosovës dhe Departamenti Fiskal në Gjykatën Themelore.
Ndërsa, formimi i bordit të ri në dhjetor të vitit të kaluar nga Ministria e Financave i cili përbëhet prej 7 anëtarëve , parasheh që edhe ankesat e shkallës së dytë të bëhen nga ky bord por kësaj herë kryesuesi i bordit duhet ti përgjigjet ministrit të Financave.
E, pikërisht këtë po e kundërshton komuniteti i biznesit duke thënë se derisa kryesuesi i bordit i përgjigjet ministrit të Financave, ky bord më nuk mund të quhet i pavarur.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini ka thënë për Gazetën Alo se bordi i propozuar nga Ministria e Financave është mënyrë e gabuar, duke shtuar se me këtë propozim ky i fundit e humb pavarësinë e vet.
“Bordi i Pavarur për Ankesa dhe Parashtresa për të cilin nga viti 2014 është shuar padrejtësisht , AKB-ja, vazhdimisht ka dhënë rekomandimet e veta në Qeverinë e Kosovës për rifunksionalizim të tij dhe ka dhënë edhe arsyetimet se përse duhet bërë një gjë të tillë , por nuk ka pasur një gatishmëri politike. Mirëpo, tashmë kur një bord i tillë u paralajmërua në fund të vitit 2018 nga MF-ja, AKB e përshëndeti dhe tham se u plotësua edhe një kërkesë e kahmotshme e biznesit, por në anën tjetër kur e kemi pa se si është dhënë propozimi tashmë ai del që nuk është Bord i Pavarur por do të jetë një hallkë e cila do t’i jep përgjegjësi Ministri të Financave dhe me këtë e humb pavarësinë e vet”, ka thënë Shahini.
Shahini, ka deklaruar se AKB ka dyshimet e veta në formimin e këtij bordi.
“Mendoj se Bordi i Pavarur i duhet biznesit , i duhet Kosovës sepse tregon pavarësinë e vet mes agjencioneve shtetërore siç është Dogana, ATK-ja, dhe bizneset, por ne e dimë se këto dy agjencione janë varëse të MF-së, kështu që edhe bordi tash do të jetë varës i MF-së, që do ta humb pavarësinë dhe ne kemi dyshimet tona këtu. Ne mendojmë se bordi duhet të jetë i ngjashëm siç ka qenë ai i mëhershmi, i pavarur dhe profesional”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë se si Aleancë Kosovare e Biznesit, kanë dhënë kundërshtimet e tyre në Ministri të Financave dhe në Qeveri, duke shtuar se shpreson që do t’i binden këto dy dikastere që propozimi për formimin e këtij bordi është gabim.
Ndërsa, në Ministrinë e Financave të pyetur se përse nuk është rifunksionalizuar bordi i mëhershëm pasi që kjo është edhe kërkesë e komunitetit të bizneseve, kanë thënë se kanë arsye se përse e kanë zgjedhur një model tjetër për formimin e këtij bordi.
“Edhe ne jemi të përkushtuar për të gjetur një zgjidhje e cila do ta ndihmonte biznesin për të ardhur sa më shpejt deri te e drejta e tij/saj, për këtë arsye duke marrë për bazë vërejtjet të cilat kanë qenë në vitin 2012 dhe në bashkërendim prape me zyrën e BE-së kemi vendosur që ta marrim një model më të mire dhe të përshtatshëm për rrethanat tona nga shtetet e BE-së, dhe pas shumë analizave kemi ardhur në përfundim që modeli Slloven është më i përshtatshmi për Kosovën duke marr për bazë edhe infrastrukturën ligjore që është e njëjtë me vendin tonë”, ka thënë Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Financave.
Ndërsa, se në cilat argumente bazohet Ministria e Financave se modeli i propozuar nga ta është garanci se bordi i ri do të jetë i pavarur dhe profesional, Shahini ka thënë se tash e tutje parashihet që përmes njoftimit publik sipas kritereve ligjore të zgjidhen zyrtarët kompetentë për tu marrë me zgjidhjen e ankesave të biznesit.
“Anëtarët në të kaluarën kanë qenë të deleguar nga partitë politike dhe nga një nga Shoqatat e Biznesit, ndërsa tani parashihet që përmes njoftimit publik sipas kritereve ligjore të zgjidhen zyrtarët kompetentë për tu marrë me zgjidhjen e ankesave të biznesit, përveç kësaj, këta zyrtarë do të jenë të mbështetur edhe nga ekspertë të lëmive të veçanta për të zgjidhur ankesat në mënyrë sa më profesionale, për arsye së jo vetëm që pala do ta fitojë të drejtën që i takon por edhe do të na ndihmoj në zhvillim profesional të ATK-së dhe Doganës e që ka për rezultat edhe ngritjen e integritetit të këtyre dy Administratave”, ka thënë ai.
Shahini, ka shtuar se se edhepse sipas projektligjit parashihet që Bordi Shqyrtues i Ankesave të ketë 7 anëtarë ky numër mund të rritet varësisht nga numri i ankesave.
“Çështja e numrit të zyrtarëve do të jetë varësisht nga numri i ankesave, që do të thotë se mund të shtohet në çdo moment”, ka thënë ai.
Sipas tij, në të gjitha vendet e rajonit por edhe në shume vende të BE-së, shkalla e dytë e ankesës është brenda Ministrisë së Financave, duke shtuar se më parë ne e kemi pasur në Kuvend para vitit 2012 dhe nuk ka funksionuar.
Ai ka thënë se Dogana dhe ATK janë të pavarura në kuptim operacional nga MF.
Shahini, për Gazetën Alo ka bërë të ditur se ish- Bordi i Pavarur për Rishqyrtime të Ankesave është shuar për shkak se kjo ka qenë kërkesë e Bashkimit Evropian e vitit 2012.
Ai, ka deklaruar se kërkesa e BE-së, ka qenë që ankesat të mos vendosen nga njerëzit e emëruar politikisht dhe nga zyrtarët e deleguar nga Komuniteti i Biznesit për arsye të konfliktit të interesit./Gazeta Alo/