Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë dërguar sot në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës.
Pas, kësaj të dy partitë opozitare kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media duke thënë se kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese vlersueshmërinë e këtij ligji si dhe deri në marrjen e vendimit po ashtu vendosjen e masës së përkohshme, shkruan Gazeta Alo.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se po e kontestojnë këtë ligj, pasi që sipas tij ky i fundit shkel shumë nene të Kushtetutës.
“Ne në funksion të asaj që e kemi thënë deri sot po e kontestojmë këtë projektligj sepse mendojmë se projektligji i tillë shkel shumë nene të Kushtetutës. Përmes këtij ligji është bërë një tendencë që të autorizohet një trupë që është kundër kushtetuese. Asnjë dispozitë kushtetuese nuk lejon që të barten kompetencat e instituconeve të tjera”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se janë të paktën tete nene në të cilat shkelet kushtetuta, por ka përmendur tri më të rëndësishmet.
“Shkelet rëndë kushtetuta e sidomos në nenin 65 ku preken kompetencat e Kuvendit, në nenin tre ku preken kompetencat e Qeverisë dhe nenin 94 preken kompetencat e kryeministrit. Ne si grupe parlamentare e kundërshtojmë në përplotshmëri këtë projektligj dhe kërkojmë që ky ligj të rrëzohet dhe mandate I institucioneve të mos cenohet’, ka deklaruar Selmanaj.
Ndërsa, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka thënë se Kuvendi deri tash do të duhej ta miratonte një dokument i cili ia ndalon presidenti Hashim Thaçi të vazhdojë me aventurën e tij të rrezikshme për shkëmbim territoresh.
“Kuvendi ynë tashmë do të duhej që pa dilema ta kishte miratuar një dokument ku e ndalon Hashim Thaçin të vazhdojë me këtë aventurë të rrezikshme. Një qeveri pa legjitimitet nuk mund të vijoj me këtë proces e aq më pak të formojnë delegacione antikushtetuese”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se e gjithë kjo punë e ekipit negociator dhe aventurë e Qeverisë po bëhet për t’i shërbyer presidentit Thaçi.
“Gjithë kjo aventurë është në shërbim të plotë të Hashim Thaçit. Në këtë kaos që po ë krijojnë aktorët përfshihet pa dyshim edhe i ashtuquajturi ligj për dialogun Ne sot vlerësuam kërkesën për vlersueshmëri të kushtetutshmërisë. Janë shkelur të paktën tetë nen të Kushtetutës”, ka thënë ajo.
Ndërsa, ka treguar se cilat kërkesa ia kanë bërë Gjykatës Kushtetuese.
“Ne nga Gjykata kemi kërkuar edhe vendosjen e menjëhershëm të masës së përkohshme sepse projektligji ën fjalë cenon formën e qeverisjen, dhe ndarjen e pushteteve. Ne kemi kërkuar po ashtu aprovimin e kërkesës për seancë dëgjimore dhe ky do të ishte vendim I drejtë nëse Gjykata vendos për këtë”, ka thënë Haxhiu.
Ajo shtoi se nuk përjashtohen protestat, nëse kërkesat e opozitës nuk gjejnë mbështetje.
“Nuk i përjashtojmë protestat dhe do të ishte mirë nëse do të mund të bëhej si organizim me partinë tjetër të opozitës. Nëse vijon kështu, veprimet tona me demonstrata janë të domosdoshme. Për shkak të mungesës së legjitimitetit, skandaleve të vazhdueshme të qeverisë, e cila po vepron gabimisht duke mos e ndal atë, zgjedhja më e mirë do të ishin zgjedhjet e jashtëzakonshme, asnjë veprim tjetër nuk do të mund ta shpëtonte vendin nga kjo katrahurë”, ka shtuar Haxhiu./Gazeta Alo/