Sot në Gjilan është hapur edicioni i dytë i Panairit të Punës në të cilën marrin pjesë 40 kompani nga sektorë të ndryshëm.
Drejtoresha për Zhvillim Ekonomik në Gjilan, Valbona Tahiri, tha se kompanitë pjesëmarrëse ofrojnë rreth 500 vende pune.
“Ky panair dëshmon se ka vende pune në ndërmarrjet e komunës së Gjilanit dhe kohëve të fundit mundësitë për të përgatitur profesionalisht një punëkërkues janë shumë më të mëdha duke iu falënderuar partnerëve tanë MPMS, GIZ dhe të tjerëve”, ka thënë Tahiri.
Ajo tha se Komuna do të vazhdojë të realizojë aktivitete me qëllim koordinimin dhe ndërlidhjen me tregun e punës, si dhe promovimit të shkathtësive të punës.
Drejtori i Qendrës për Punësim në Gjilan, Xhevat Aliu, tha se përmes këtij panairi, bizneset po ofrojnë vende pune për angazhim të fuqisë punëtore, duke shtuar se në këto rrethana të papunësisë, po ndikohet direkt në përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike.
Klaus Bader – Labarre, nga Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), tha se qëllimi i organizimit të përbashkët i këtij panairi, është t’i bashkojë punëdhënësit dhe punëkërkuesit.
“Është kënaqësi që kësaj radhe po bëhet e mundur, që në bashkëpunim me MMPS, të bëhet subvencionimi I praktikës në punë prej 6 muajve dhe tre muaj trajnim në vend të punës me pagesë”, ka thënë Bader – Labarre.
Ndryshe, panairi organizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës (APRK), Komunës së Gjilanit, Agjencinë Për Zhvillim Rajonal – Lindje dhe Zyrën Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).