Kosova për herë të parë prezantohet si shtet në njërin prej panaireve të librit më të vjetër në botë. Shtandi i Kosovës të enjten është hapur në Panairin e Leipzigut në Gjermani.
Kjo ngjarje kulturore ka filluar të organizohej më 1632. Janë mbi 130 tituj librash nga rreth 50 shtëpi botuese nga Kosova që do të qëndrojnë të ekspozuara në Panairin që zgjat deri të dielën, shkruan sot “Koha Ditore”.
Shteti më i ri i Evropës këtë vit ka bërë vend për herë të parë në këtë ekspozitë të librit së bashku me Kanadanë. Përfaqësohet nga Ministria e Kulturës e Biblioteka Kombëtare e Kosovës, “Pjetër Bogdani”.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, i cili ka mbërritur të enjten në mbrëmje në Leipzig ka thënë se ideja ka qenë që të prezantohen botimet e vitit 2018 dhe 2019. Bashkë me titujt është edhe katalogu i botimeve të BKK-së.
“Fokusi ka qenë kryesisht tek botimet me interes albanologjik në fushën e historisë e të trashëgimisë kulturore. Janë edhe botimet e shkrimtarëve më kulminantë të Kosovës”, ka thënë Gajraku.
Shkrimtari Ibrahim Kadriu, i cili është laureat i sivjetshëm i çmimit kombëtar letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli”, do të prezantohet në Panair.
Samir Hoxha, këshilltar i lartë i ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, ka thënë se “Ministria e Kulturës sivjet ka përkrahur Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, e cila në stendën e saj do të prezantojë botimet më të reja nga Kosova. Në Panairin e Leipzigut, në kuadër të rrjetit letraro-kulturor ‘Traduki’, Kosova do të prezantohet me autorët e saj, Ardiana Shala dhe Beqë Cufaj”. Cufaj, njëherësh është ambasador i Kosovës në Berlin. Në bashkëpunim me ‘Tradukin” e pranishme në Panair është edhe poetja Blerina Goxha-Rogova.
Krahas Kosovës, edhe Shqipëria përfaqësohet nga Ministria e Kulturës në këtë Panair. Autorët Lisandri Kola dhe Saimir Muzhaka do të prezantohen nga Ministria e Kulturës, kurse në kuadër të rrjetit “Traduki” do të jenë të pranishëm edhe Lindita Arapi dhe Anrila Spahia.