Fjalë Kyçe

Sejdiu tregon kushtet për koalicionin LDK-VV

Posti i kryeministrit ka mbetur e vetmja pikë për të cilën ende nuk po mund të pajtohen Lidhja Demokratike e Kosovës e Isa Mustafës dhe Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.

Për një koalicion mes këtyre dy partive po angazhohet jashtëzakonisht shumë ish-deputeti, Korab Sejdiu, i cili në legjislaturën e kaluar ishte bashkë me Grupin Parlamentar të LDK’së.

Sejdiu thotë se do të vazhdojë të insistojë dhe të përpiqet që të bëjë bashkë në një koalicion parazgjedhor dy partitë që kanë drejtuar opozitën kosovare gjatë mandatit të kaluar në Kuvend.

Ai thotë se  më e rëndësishme është Kosova, sesa një individ apo një parti, dhe sipas tij këtë duhet pasur parasysh si në LDK po ashtu edhe në Vetëvendosje.

“Vazhdoj me insistu që e ardhmja e Kosovës është më e rëndësishme se individi apo partia”, ka thënë Sejdiu për Express.

Tutje ish-deputeti ka thënë se nuk do të ndalet së provuari që të ndërmjetësojë arritjen e një koalicioni parazgjedhor LDK-VV.

“Rrjedhimisht, siç edhe po e shihni nga raportimet mediatike, do të vazhdoj përpjekjet me LDK dhe VV deri në fund të afatit, për të jetësuar koalicionin e madh parazgjedhor LDK-VV – si formula e vetme e mundshme në këto rrethana për të shpëtuar Kosovën.  Dmth, marrëveshja është e mundur, nëse prioritet i vetëm vendoset Kosova dhe qytetarët e saj”, ka thënë ish-deputeti.

Ai beson që qeveria e ardhshme duhet të jetë më stabile, me një shumicë shqiptare dhe e përbërë nga LDK dhe VV.

“Qeveria e ardhshme duhet të ketë prioritet ç’kapjen e shtetit dhe funksionalizimin e drejtësisë, shëndetësinë, arsimin dhe uljen e papunësisë në vend, natyrisht duke mos përjashtuar edhe adresimin e problemeve të gjera me të cilat ballafaqohet Kosova.  Ky është momenti i fundit që Kosovës t’i ndërrohet kahja që e ka marrë, sepse shumë shpejtë do të jetë tepër vonë”

Korab Sejdiu në zgjedhjet e kaluara arriti të zgjidhet si deputet nga radhët e AKR’së. Mirëpo ai u largua nga kjo parti. Kjo për shkak se subjekti vendosi të lëshojë koalicionin me LDK dhe Alternativën për t’i dhënë votat e nevojshme qeverisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj dhe koalicioni PAN.

Ai mandatin e deputetit e përfundoi si i pavarur. Ndërkohë para disa ditëve ish-deputeti ka dalë me një sondazh online ku kishte kërkuar vlerësimin e qytetarëve rreth punës së tij dhe rreth asaj nëse do të duhet të garojë përsëri si deputet.

Megjithatë ai thotë se ende nuk ka vendosur se a do garojë sërish.

“Angazhimi i im ka qenë pothuajse në tërësi i përqendruar në realizimin e projektit të koalicionit LDK-VV.  Dhe do të vazhdoj deri në momentin e fundit.  Vetëm pas kalimit të këtij afati, do të marr kohën që të mendoj për të ardhmen time politike, pra fillimisht a do të garoj, dhe nëse po, në çfarë formati”.

Për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore kanë mbetur edhe pak orë, pasi që Komisioni Qendror Zgjedhor e ka vendosur 30 gushtin si afatin e fundit për regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore. Pritet të shihet nëse do të ketë diçka konkrete sot mes LDK’së dhe VV’së.