Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, përmes një deklarate ka reaguar lidhur me mos emërimin e dhjetë përfaqësuesve të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ).
Në reagimin e ambasadës thuhet se janë të shqetësuar me vonesën prej më shumë se një vit, shkruan Gazeta Alo.
Në deklaratë thuhet se ky dështim ka rritur perceptimin e publikut se madje edhe njëri ndër institucionet më efikase dhe më jopartiake të Kosovës i nënshtrohet ndërhyrjes politike.
Ambasada i bën thirrje presidenti të vendit, Hashim Thaçi që menjëherë t’i emërojë përfaqësuesit në KQZ.
Deklatara e plotë:
Jemi të shqetësuar me vonesën prej më shumë se një vit të emërimit të dhjetë përfaqësuesve në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ).
Dështimi për t’i emëruar përfaqësuesit ia ka pamundësuar KQZ-së kryerjen e funksioneve të saj themelore; më shumë se 30 anëtarë të kuvendeve komunale dhe një deputet i Kuvendit të Kosovës nuk kanë pasur mundësi të marrin detyrën për shkak të vonesës.
Ky dështim ka rritur perceptimin e publikut se madje edhe njëri ndër institucionet më efikase dhe më jopartiake të Kosovës i nënshtrohet ndërhyrjes politike.
E nxisim Presidentin Thaçi që menjëherë t’i emërojë përfaqësuesit në KQZ për t’ia kthyer këtij institucioni aftësinë për të punuar në mënyrë të besueshme dhe të pavarur për të mirën e popullit të Kosovës./Gazeta Alo/