Një qendër restaurimi për të ruajtur veprat e punën e Ernest Hemingwayt është hapur të shtunën në Kubë, duke vënë në pah bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara në një kohë kur marrëdhëniet midis armiqve të vjetër që nga Lufta e Ftohtë, janë ashpërsuar sërish.
Hemingway, i cili fitoi çmimin “Nobel” për letërsi në vitin 1954, shkroi disa nga librat e tij më në zë gjatë 21 vjetëve të jetës së tij në Finca Vigia ose në Fermën e Vrojtimit, tani një muze në San Francisco de Paula në periferi të Havanës, shkrua Reuters, transmeton “Koha Ditore”.
Qendra e restaurimit e ndërtuar nga Këshilli i Trashëgimisë Kulturore Kombëtare të Kubës dhe fondacioni “Finca Vigia” i Shteteve të Bashkuara është vendosur në një pronë prej 15 hektarësh, ku Hemingway jetonte në një shtëpi të stilit spanjoll me plot dritë e të ajrosur.
“Kur bashkohemi, kur punojmë së bashku, mund të bëjmë gjëra pozitive dhe të mrekullueshme”, ka thënë në ceremoninë e prerjes së shiritit, Jim McGovern, një kongresmen amerikan për Massachusetts, i cili dëshiron marrëdhënie më të mira midis Kubës dhe ShBA-së.
McGovern ka thënë se projekti do të kishte qenë shumë më i lehtë po të mos ishte embargoja tregtare midis ShBA-së dhe Kubës, që presidenti Donald Trump e ka forcuar kur ka ardhur në pushtet.
Hemingway u zhvendos në Finca Vigia në vitin 1939, një vit para se të botohej vepra “Për kë bien kambanat” dhe shkroi “Plaku dhe deti” e të tjera.
Ai u largua nga Kuba në vitin 1960, më shumë se një vit pas revolucionit kubanez dhe më pak se një vit para se të vriste veten në Idaho në moshën 61-vjeçare në mes të një lufte me depresionin.
Shkrimtari la mijëra dokumente në Kubë, duke filluar nga dorëshkrimet e disa prej veprave të tij, si dhe fotografi dhe libra me shënime.
Qendra e restaurimit, e cila është financuar nga fondacioni “Ford”, “American Express Philanthropy” dhe fondacioni “AT&T”, përfshinë laboratorë dhe një dhomë me ajër të kondicionuar. Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Kubane dhe fondacioni “Finca Vigia” kishin nënshkruar më parë tri marrëveshje bashkëpunimi për ruajtjen dhe shpërndarjen e trashëgimisë së Hemingwayt.