Fjalë Kyçe

Prokuroria dyshon se qelizat vezore bliheshin 600 e shiteshin për 3-4 mijë euro në klinikën “Dr. Behar Kusari”

Prokuroria dyshon se qelizat vezore bliheshin 600 e shiteshin për 3-4 mijë euro në klinikën “Dr. Behar Kusari”

Mbi 600 euro dyshohet se ishin paguar pacientet të cilat kishin dhuruar qeliza vezore në klinikën amerikane “Behar Kusari”.

Këto qeliza vezore, më pas, u shiteshin pacientëve të kësaj klinike nga 3,000 mijë deri në 4,000 mijë euro. Për më tepër, në këtë klinikë dyshohet se ishte realizuar kundërligjshëm edhe përcaktimi i gjinisë, raporton KTV.

Këto kanë qenë disa nga provat të cilat i ka siguruar Prokuroria, por që nuk kanë mjaftuar që gjykata ta miratojë kërkesën e saj për caktimin e paraburgimit ndaj katër të dyshuarve të arrestuar dy ditë më parë.

Të premten, gjykata ka vendosur që katër të dyshuarit V.K., A.K., I.ZH. dhe S.M., t’ua caktojë masën e arrestit shtëpiak.

Ata dyshohet se kanë kryer veprën penale “Transplantim i kundërligjshëm dhe trafikim i organeve dhe qelizave njerëzore”.

“Fillimisht, Policia dhe Prokuroria kanë marrë informata se në klinikën amerikane ‘Dr. Behar Kusari’, që gjendet në Çagllavicë, bëhet shitblerje e qelizave vezore, në kundërshtim me ligjin. Më pas, është paraqitur një dëshmitare e cila ka shitur qelizat në ordinancën e lartcekur dhe po ashtu, na ka njoftuar se ka dërguar edhe persona të tjerë që kanë shitur qelizat në këtë ordinancë. Pas kësaj, Prokuroria i ka bërë kërkesë gjykatës, ku edhe janë lëshuar masat e fshehta teknike të vëzhgimit të hetimit, ku gjatë përgjimit ligjor, ka pasur biseda inkriminuese”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Themelore.

Por, njëri nga të dyshuarit në këtë rast, me inicialet V.K., bashkëpronar i klinikës “Behar Kusari”, ka mohuar akuzat se ata kanë kryer transplantim, por ka thënë se ka ndodhur dhurim i qelizave-vezë.

Sipas deklaratës së dhënë në gjykatë, ai ka thënë se kjo bëhet në mënyrë vullnetare dhe paguhet.

“Nga dhurimi i qelizave-vezë paguhet bonusi vullnetar, i cili është i evidentuar dhe nënshkruar nga vetë dhuruesi dhe pastaj transferohet te pacienti. Klinika duhet t’ia paguajë dhuruesit një shumë dhe gjithë pacientët që vijnë te ne, e bëjnë këtë në mënyrë vullnetare”, thuhet në deklaratën e të dyshuarit V.K.

Në këtë aktvendim, më tutje, thuhet se Prokurori i Shtetit ka kontaktuar me zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë për të kuptuar nëse në Kosovë lejohet që në këtë formë të bëhet shitblerja e qelizave vezore.

“Të pandehurit këtë e kanë ditur, sepse tërë kohën i kanë njoftuar klientët të shkojnë në zyrë dhe, pas zbatimit të masave të fshehta, vërehet që përpos shpenzimeve të cekura për udhëtim dhe analiza, ofrohet shuma 600 euro apo më shumë”, thuhet në deklaratën e Prokurorit të Shtetit.

Pas një hetimi disamujor, Policia e Kosovës, dy ditë më parë, arrestoi të 4 të dyshuarit.

Gjatë këtyre bastisjeve, policia kishte arritur të sigurojë dosje mjekësore, libra të evidencave, 4 telefona mobilë dhe 500 euro para të gatshme.