Fjalë Kyçe

Pesë të vdekur e 50 të lënduar nga shpërthimi në Afganistan

Pesë të vdekur e 50 të lënduar nga shpërthimi në Afganistan

Së paku pesë persona janë vrarë dhe rreth 50 të tjerë janë lënduar nga një shpërthim i madh që ndodhi në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul.

Sulmi ndodhi vetëm disa orë pasi një diplomat amerikan ua dorëzoi qeverisë afgane draftin e marrëveshjes me talibanët për tërheqjen e trupave amerikane.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Nasrat Rahmi, tha se numri i viktimave mund të rritet, sepse disa shtëpi janë shkatërruar nga shpërthimi dhe mund të ketë njerëz të vdekur nën gërmadha.

Ai konfirmoi se cak i sulmit ishte Fshati i Gjelbër, në të cilin ndodhen shumë organizata dhe hotele ndërkombëtare. Shpërthimi e krijoi një re të madhe tymi në qiell dhe bëri që një pompë e benzinës të merrte flakë, shkruan The Guardian.

Bahar Maher, një zëdhënës tjetër i kësaj ministrie, tha për një televizion lokal se shpërthimi është shkaktuar nga një veturë bombë.

Ndryshe, drejtori i spitalit ku po trajtohen personat e lënduar nga shpërthimi, Nezamuddin Jalil, tha se në mesin e të plagosurve ka gra dhe fëmijë.

Diplomati amerikan, Zalmay Khalilzad, i cili është angazhuar në bisedime me talibanët, deklaroi ditë më parë se Shtetet e Bashkuara janë në prag të arritjes së marrëveshjes me grupin militant për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani.