Prishtinë, 22 prill – Në kulmin e përplasjeve për anulimin e shfaqjes së filmit ruso-serb, “Balkan Line” në Bujanoc, Serbia ka paralajmëruar një tjetër film që lidhet me Kosovën. Kësaj radhe ka të bëjë me jetën e komunitetit serb pas “pogromit të marsit të vitit 2004”.
Titullohet “Mrak” (Terri) dhe do të nisë xhirimet në fund të majit në Vranjë. Siç kanë raportuar mediat serbe, filmi me skenar e regji të Dushan Miliqit trajton periudhën e pasluftës në Kosovë nëpërmjet historisë së një familjeje serbe. Edhe ky prezantohet si film që është i bazuar në ngjarje të vërtetë, siç ishte prezantuar edhe “Balkanska međa”, të cilin kritika ndërkombëtare e kishte cilësuar thjesht si një propagandë. Në qendër të “Territ” është familja serbe, e cila pas luftërave të viteve ’90 “vazhdon të jetojë në vatrën e vet, në Kosovë e Metohi, e të cilën ditën e mbron KFOR-i e kur bie nata përjeton tortura të tmerrshme”.
Përshkrimi vazhdon duke treguar se drama zhvillohet në verën e vitit 2004, pas “pogromit të marsit” dhe përcjell fatin e 11-vjeçares Milica, e cila jeton në vende të harruara malore bashkë me nënën dhe me gjyshin e vet, duke pritur ndonjë informacion nëse babai i saj, i zhdukur para një viti, është ende gjallë.
Por për regjisorin kosovar Isë Qosja është politika serbe që shfrytëzon kësi lloj filmash për konsum të brendshëm. Sipas tij, historia nuk mund të shtrembërohet me një film apo dy, posaçërisht jo ajo histori që ndodhi në Kosovë, të cilën e ka parë bota.
“Serbët i kanë lënë gjurmët e masakrave dhe krimeve të tjera edhe në Kroaci, Bosnjë e sidomos në Kosovë. Ato gjurmë nuk mund të fshihen as të mbulohen me filma propagandistikë, as me fushata retorike”, ka thënë Qosja.