Fjalë Kyçe

Pas pesë vjetësh paraqitet në një video udhëheqësi i ISIS-it

Pas pesë vjetësh paraqitet në një video udhëheqësi i ISIS-it

Udhëheqësi i grupit ekstremist Shteti Islamik (IS) është paraqitur në një video për herë të parë pas pesë vjetësh, kur e ka bërë paraqitjen e fundit.

Abu Bakr al-Baghdadi paraqitet në videon e transmetuar nga krahu mediatik i IS-it, Al-Furqan, me mjekërr të çrregullt dhe ulur në dysheme pranë një muri. Ai ka të veshur një mantel të zi me një jelek të lehtë dhe mbi të dhe ka një mitraloz pranë krahut të djathtë.

Tre persona të maskuar e dëgjojnë derisa ai flet.

Baghdadi duke folur ngadalë dhe me ndërprerje tha se grupi IS do të hakmerret për vrasjen dhe burgosjen e pjesëtarëve të tij.

Ai tha se operacionet e grupit kundër perëndimit kanë qenë një “betejë e gjatë”.

Nuk është ende e qartë ku është incizuar videoja 18 minutëshe, përderisa forcat irakiane dhe ato të mbështetura nga Shtetet e Bashkuar janë duke u përpjekur për ta zënë udhëheqësin e grupit ekstremist.

Paraqitja e fundit e Baghdadit ka qenë në vitin 2014 nga xhamia Al-Nuri në Mosul të Irakut. Në këtë fjalim ai deklaroi themelimin e kalifatit islamik.

Data e paraqitur në video është e muajit prill, por autenticiteti i saj nuk mund të verifikohet.

Baghdadi në këtë video flet edhe për sulmet në Shri Lankë që vranë më shumë se 250 njerëz, duke thënë se këto sulme u ndërmorrën si hakmarrje e rënies së Baghuzit.

Baghuzi është në kufi të Sirisë me Irakut dhe ishte pjesa e fundit e territorit që mbante nën kontroll IS-i. Militantët u mposhtën javë më parë nga forcat e koalicionit të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

Udhëheqësi i grupit militant Shteti Islamik ishte shpallur i plagosur dhe i vrarë disa herë gjatë viteve të fundit.