Arkeologët në Egjipt e kanë zbuluar një varrezë të lashtë afër piramidave të famshme në Giza afër Kajros.
Një nga artefaktet më të rëndësishme që u gjetën në këtë varrezë ishte një statujë e pronarit të kësaj hapësirë, gruas dhe djalit të tij. Zyrtarët thanë se këto vepra i përkasin periudhës së viteve 2465 dhe 2323 para Krishtit.
Ashraf Mohi, udhëheqës i gërmimeve arkeologjike në këtë zonë, tha se dihet që kjo hapësirë është përdorur përsëri në një periudhë më të vonë, më saktësisht mes viteve 664 dhe 332 para Krishtit.
Arkeologët gjetën sendukë të drunjtë dhe të dekoruar me piktura të ndryshme. Përpos tyre, u gjetën edhe disa maska.
Egjipti i ka zbuluar një varg artefaktesh të lashta kohëve të fundit. Autoritetet shpresojnë që këto zbulime ta rrisin numrin e turistëve, të cilët janë pakësuar që nga fillimi i kryengritjeve të vitit 2011.
Sekretari i përgjithshëm i Këshillit Suprem për Antikitete, Mostafa Waziri, tha se kjo varrezë u përkiste dy burrave, shkruan “Independent”.