Albulena Haxhiu nga VV, në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala, ka ftuar deputetët që të nënshkruar për seancë të jashtëzakonshme.
“Së fundi ka pasur edhe kërcënime të pronarëve të devollit kryesisht Blerim devollit karshi Telekomit për zbatim të arbitrazhit. Besoj se kjo është rrethanë e re dhe si komision duhet të shohim mundësinë si të veprojmë në këtë drejtim. Duhet të kërkojmë nga gjykata që të gjejë një zgjidhje nga kjo situatë që të pezullohet përkohësisht kontratën me z mobile. Duhet të veprojmë në këtë drejtim dhe jo të heshtim. Kërkoj ta mbështesni një kërkesë për seancë të jashtëzakonshme që specifikisht do fokusohet në kërcënimin e fundit që devolli i ka thënë Telekomit. Nuk duhet të heshtim dhe duhet të veprojmë”, tha ajo.
Milaim Zeka nga Nisma tha se e mbështet këtë.
“E mbështes atë që tha Albulena. Masi do të thirret një seancë besoj atje do bisedojmë më gjerësisht”, tha Zeka.
Armend Zemaj nga LDK, tha se në këtë fazë të mos e përziejnë seancën me punën e Komisionit.
“Si ide po ndërlidhet me punën tonë si komision. Kisha mendua që në ketë fazë të mos i përziejmë gjërat. Lus edhe Albulenën jam për me mbajt por pa e përfshi punën dhe aktivitetin e komisionit sepse ne tash kemi me u fut në fazën e intervistimit dhe do dalin tema nga njerëzit që intervistojmë. Mendoj që interesi ynë nuk është që ne mund ti përmirësojmë pasojat por ne duhet ti evidentojmë pasojat. Çdo kush që i ka venë duart ne duhet tash ti evidentojmë”, tha Zemaj.
Bekim Haxhiu nga PDK tha se për situatën e krijuar në Telekom duhet të diskutohet në Kuvend dhe me Qeverinë, raporton EO.
“Jam me diskutua, por me diskutua në kuvend me qeverinë për me gjet zgjidhje me nxjerrë Telekomin prej situatës. Nëse i ka ardh mirë kur ka marrë devidentë prej Telekomit tash duhet me marrë edhe përgjegjësi”, tha ai.
Kryesuesi i këtij komisioni, Visar Ymeri tha se kërkesa e tillë për seancë nuk mund të parashtrohet në Komision, por deputetët nëse duan mund të nënshkruajnë jashtë tij.