Fjalë Kyçe

Vuçiq deklaroi se nuk e njeh Kosovën edhe po ta vrisnin, Thaçi thotë se kjo është deklaratë për marketing

Vuçiq deklaroi se nuk e njeh Kosovën edhe po ta vrisnin, Thaçi thotë se kjo është deklaratë për marketing

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Samiti i Berlinit dështoi, pasi nuk ka pasur koordinim me SHBA.

Ai tha se në samitin e Brdo Brjiunit të zhvilluar në Tiranë është folur për Kosovën, dhe se i ka kërkuar Bosnjes të njohë Kosovën.

Thaçi në një intervistë për OraNews theksoi se dialogu me Serbinë duhet të jetë i pakushtëzuar, ndërsa taksa ka qenë një vendim legjitim. Gjithashtu komentoi dhe deklaraten e Vuçiç i cili deklaroi se nuk do ta njihte Kosoven edhe sikur ta vrisnin.

Çfarë vendi zuri Kosova në diskutimet e këtij samiti.  A pati replika me presidentin Vuçiq?

Hashim Thaçi: Është e pamundur që të mbahet takim i liderëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor apo i vendeve të BE-së pa qenë theksi i veçantë diskutimi për çështjen e Kosovës e ardhmja europiane e saj dhe marrëdhëniet e saj me vendet fqinje e në veçanti dialogu i Kosovës me Serbinë. Edhe sot kam komfirmur pozicionin e shtetit të Kosovës, se dialogu duhet të ndodhë i pakushtëzuar dhe tarifa ka qenë vendim i drejtë, i qartë dhe autonom dhe legjitim i shtetit të Kosovës dhe se duhet të punojmë me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e plotë të të gjitha shteteve anëtare për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht obliguese që sjell njohjen reciproke dhe mbyll të gjitha çështjet e hapura. Vazhdojmë të kemi mospajtime thelbësore në këtë proces por dhe kam theksuar gjithashtu të dy përfaqësuesve të Bosnje Hercegovinës që Bosnja ta njohë Republikën e Kosovës.

“Edhe nëse do ta vrasin nuk do të njoh Kosovën”, cfarë do të thotë kjo deklaratë e Aleksandër Vuçiq për një momentum të ri

Hashim Thaçi: Askush nuk duhet të flasë për vrasje e vdekje. Njohja nga ana e Serbisë për shtetin e Kosovës apo njohja e Serbisë si vend i pavarur e sovran për Kosovën i jep gjallëri e dinamikë e frymë europiane Serbisë. Lirohet nga një barrë e padrejtë dhe nga një mit i rrejshëm. Kështu që deklarime për marketing e populizëm do të kemi edhe këto ditë dhe në ditet e ardhshme por ende shpresoj që ky vit do të jetë, viti i marrëveshjes përfundimtare

A keni ndonjë qëndrim për pezullimin e taksës?

Hashim Thaçi:   Vazhdoj të besoj se dialogu duhet të jetë i pakushtëzuar. E kuptoj vullnetin e mirë dhe e vlerësoj të kancelares Merkel dhe presidentit Macron, por vendime të cilat janë sovrane duhet të respektohen dhe nuk mund të ndodhë kurrë një dialog i kushtëzuar nga njëra palë. Dialogu duhet të jetë i vullnetit të mirë, i interesave të përbashkëta dhe detyrimeve europiane.

Ju thoni se BE është shumë e dobët për të marrë një vendim për cështjen e Kosovës, a ka mosdakordësi mes Gjermanisë e Francës

Hashim Thaçi: Angazhimi i Gjermanisë dhe Francës është mesazhi më i mirë, që është një interesim i rritur i vendeve kryesore të BE. Mbetet që këto vende të kenë mbështetjen edhe të vendeve të tjera të BE që të funksionojë si një familje, në një proces të udhëhequr nga Mogherini. Është konstatuar edhe në Berlin se BE ende nuk e ka dinamikën e duhur për mundësinë e imponimit të një zgjidhje, por gjithashtu është treguar edhe i dobët dhe jo unik.

Ju keni qenë të hapur për korigjimin e kufijve, a mbeshteteni nga administrata Trump në këtë drejtim?

Hashim Thaçi: Vazhdimisht e theksoj që duhet të ndodhë korrigjimi dhe padrejtësitë historike, që Presheve, Medvegja dhe Bujanovac ti bashkëngjitet territorit të Kosovës, në një proces që do ti përshpejtohet e ardhmja evropiane Serbisë. Ndërsa në procesin që është zhvilluar në kuadër të angazhimeve të BE, mund të them se çdo herë ajo që na ka dhënë shpresë dhe besim për vendimmarrje ka qenë informimi, transparenca dhe mbështetja e plotë për këtë proces. Unë kam qenë i tmerruar kur u informova se për Samitin e Berlinit nuk ka pasur informim dhe komunikim me SHBA. Aty ku nuk janë SHBA nuk ka sukses, nuk ka progres, nuk ka siguri as për dialog, as për negociata dhe pas për ndonjë implementim.”

Kryeministri Haradinaj deklaroi se Mogherini ideoi ndarjen e Kosovës dhe kjo u mbështet nga ju dhe kryeministri Edi Rama dhe homologu serb, a keni një përgjigje për kryeministrin

Hashim Thaçi:  “Unë mbështes dhe angazhohem fuqishëm që Presheva, Medvegja dhe Bujanovci ti bashkohen territoreve të Republikës së Kosovës. Nuk jam i shqetësuar fare për zërat refuzues është një e drejtë historike dhe legjitime që duhet shtyrë përpara. Askush nga politika shqiptare, qoftë në Prishtinë apo në Tiranë nuk duhet të jetë e shqetësuar pavarësisht ndonjë deficiti patriotik që mund ta ketë ndokush në këtë tranzicion  30 vjeçar të Shqipërisë dhe deficit kombëtar. Ajo që theksoj është se nuk komentoj takime të mbyllura dhe nuk përgojoj njerëz dhe takime.”

Marrëdhënia me kryeministrin Haradinaj?

Hashim Thaçi: Ne kemi pasur qëndrime shumë të qarta dhe unike sa i takon tarifës të ardhmes europiane dhe liberalizimit të vizave, ndërsa opinionet e ndryshme janë shëndeti i demokracisë.