Trupi Koordinues për Mbikëqyrjen e Tregut ka lansuar ueb-faqen për raportimin e produkteve të rrezikshme – RAPEX Kosova me qëllim që gjithë qytetarët e Kosovës të jenë më të sigurt në mallrat dhe produktet që ata i përdorin.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala tha se është i kënaqur për nisjen e këtij projekti, i cili sistem mundëson njoftimin e shpejtë përmes ueb-faqes për produktet që paraqesin rrezik serioz për konsumatorët e Republikës së Kosovës.
“Për ne prioritet mbi prioritete është mbrojtja e konsumatorit dhe nga sot, me lansimin e kësaj faqeje, konsumatori ynë do të jetë më i mbrojtur, më i sigurt, në konsumimin e produkteve që tregtohen në vendin tonë. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë vazhdon të jetë e përkushtuar dhe këmbëngulëse në realizimin e misionit të saj, kontrollin e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorit”, tha ministri Shala.
Shala bëri të ditur se qëllim të mbrojtjes së konsumatorit, gjatë vitit 2018 MTI ka tërhequr nga tregu produkte të pasigurta në sasi prej 16.213.00 copë. Prej tyre Lodra për Fëmijë ( në sasi prej 15.077 copë) dhe Pajisje Elektrike (në sasi prej 1.135 copë).
“Gjithashtu gjatë këtij viti Qeveria e Republikës së Kosovës në pajtim me obligimet ligjore që dalin nga Ligji për Kërkesat Teknike dhe Vlerësim të Konformitetit, ka themeluar Trupin Koordinues për Mbikëqyrjen e Tregut , e cila trup do të koordinoj aktivitetet për mbikëqyrjen e tregut me qëllim që produktet e vendosura në tregun e Republikës së Kosovës të jenë të sigurta për konsumatorët”, tha ministri.
Ministri Shala tha se kjo faqe e internetit, do të ndihmojë për t’iu siguruar se publiku është i njoftuar për ekzistencën, përgjegjësit dhe identitetin e secilit autoritet kombëtar për mbikëqyrjen e tregut dhe se si mund të kontaktohet secili autoritet.
“Dhe si rrjedhojë e kësaj Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me projektin e financuar nga BE “Lëvizja e Lirë e Mallrave”, i ka hedhur hapat e saj në krijimin e sistemit “RAPEX KOSOVA”, i cili sistem është në pajtim me praktikat më të mira të mbikëqyrjes së tregut, në këtë mënyrë zbatojmë një pjesë të MSA-së dhe përgatitemi për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në BE”, tha ai.
Ndërsa kryeinspektori dhe, kryetar i Trupit Koordinues për Mbikëqyrjen e Tregut, Lulzim Syla tha se qëllimi i uebfaqes është tu ofrohet siguri konsumatorëve.
“Përmes kësaj ueb faqeje synohet të ofrohet informacion publikut për autoritetet inspektuese që monitorojnë sigurinë e produkteve në treg dhe veçanërisht për raportimin e produkteve të rrezikshme jo-ushqimore që gjenden në tregun e Kosovës”, tha Syla.
Shefi për bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Luigi Brusa, tha se mbrojtja e konsumatorëve duhet të jetë detyrë parësore e institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar edhe nga konsumatorët që t’i kushtojnë rëndësi asaj që konsumojnë./Gazeta Alo/