Edhe nëse vitin e ardhshëm Kosovës nuk i liberalizohen vizat, festivali ndërkombëtar i filmit “Hyjnesha në fron” me tren do të marrë rrugë drejt Frankfurtit.
Nisja parashikohet që të bëhet në qershor nga Prishtina, e rrugës planet janë që t’i bashkohen edhe tri festivale të tjera. Gjatë udhëtimit një ekran do të qëndrojë i ndezur për të shfaqur filma, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ky është skenari që organizatorët kanë shpalosur në ceremoninë përmbyllëse të edicionit të 12-të, të martën mbrëma, në ish-amfiteatrin e “American Scoool of Kosova”. Këtë vit çmimin kryesor e mori regjisori norvegjez, Magnus Meyer Arnesen, për filmin “As I Fall”. Ndarja e çmimeve nisi me gati një orë vonesë. Qe një ceremoni krejt e thjeshtë me jurinë, organizatorët e festivalit dhe vullnetarët si pjesëmarrës. Vetëm tri çmime shkuan në dorën e atyre që i fituan. Të tjerët kanë mbetur për t’u tërhequr në zyrën e “Hyjneshës në fron”.
Shkëlzen Sylejmani, drejtor artistik i Festivalit, ka thënë se bashkëdyzimi me tri festivale të tjera, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur, është bërë për të mundësuar më shumë shkëmbime kulturore dhe jo për arsye financiare. Por, shkaku i vështirësive financiare vetëm shtatë filma të këtij edicioni, që nisi më 27 shtator, qenë shfaqur në tren. Vetëm në natën e dytë “Hyjnesha…” qe në tren. Të tjerët janë dhënë në hapësirën e improvizuar në ASK.
“Ideja e Festivalit është që me pasë sa më shumë shkëmbim të kulturave dhe shkëmbime kinematografike. Besoj që kjo do të arrihet më fuqishëm në edicionin e 13-të”, ka thënë Sylejmani.
E sa i përket edicionit të sivjetmë që për pesë ditë solli rreth 40 filma në kuadër të kategorisë së filmave të gjatë, të shkurtër, shfaqjeve speciale e dokumentarë, ka thënë se janë të kënaqur me publikun.