Viktimat po shtohen ndërsa Turqia vazhdon me ofensivën e saj ndër kufitare në zonat e kontrolluara nga kurdët, në Sirinë veriore.
Të paktën 11 civilë kanë humbur jetën dhe dhjetëra luftëtarë të tjerë kurdë apo edhe nga fraksionet pro turke, kanë humbur jetën sipas raporteve. Edhe viktima e parë mes radhëve të ushtrisë turke është konfirmuar nga Ankaraja.
Dhjetëra e mijëra njerëz ndërkohë kanë braktisur shtëpitë në mesin e kritikave në rritje të komunitetit ndërkombëtar, për ofensivën.
Turqia ndërhyri në Sirinë veriore të mërkurën pasi presidenti amerikan, Donald Trump tërhoqi trupat amerikane nga zona.
Analistët thonë se tërheqja amerikane i dha Turqisë dritën jeshile për të nisur sulmin e saj ndër kufitar. Republikanët në dhomën e përfaqësuesve njoftuan plane për të kaluar një ligj për sanksione ndaj Turqisë. Kjo e fundit e mbron ofensivën e saj duke thënë se po tenton të krijojë një zonë të sigurt të spastruar nga milicitë kurde, që do të presë edhe refugjatët sirianë. Turqia i konsideron milicitë kurde të forcave demokratike siriane, që kanë kontrolluar zonën ndër kufitare, si terroristë që mbështesin një rebelim anti-turk.