Kur Joevie Alvarado u bë mësuese, ajo kurrë nuk kishte menduar se do t’i mësojë nxënësit amerikanë, mbi 12 mijë kilometra larg shtëpisë së saj. Megjithatë, mungesa e madhe e amerikanëve të interesuar për të punuar si mësues i ka detyruar disa shkolla që të kërkojnë punëtorë në pjesën tjetër të botës.
“Viti i parë është paksa i vështirë, sepse jam person i tillë që i mungon shumë familja”, thotë mësuesja Alvarado, e cila ka punuar si mësuese një dekadë në Filipine, para se të vendosej në Arizona të Shteteve të Bashkuara.
“Sa i përket pagës, paga ime në Filipine ishte tetë deri dhjetë herë më e vogël dhe kjo gjë më bindi të vendosem këtu”, shtoi ajo.
Disa prindër mund të jenë të befasuar kur kuptojnë se fëmijët e tyre po mësohen nga mësuesit ndërkombëtarë. Tom Trigalet, i cili ishte drejtor i shkollës “Casa Grand Union” në kohën kur në të kishte ardhur mësuesja filipinase, tha se nuk kanë shumë zgjedhje.
“Kur nuk keni ndonjë aplikues tjetër për punë, si do t’i plotësoni ato vende të lira”, thotë ai.
Megjithatë, angazhimi i mësuesve të huaj është vetëm një zgjidhje e përkohshme e një problemi më të gjerë, sepse gjithnjë e më pak amerikanë të diplomuar po vendosin ta zgjedhin këtë profesion.
Sipas Institutit për Politika të Të Nxënit, Shtetet e Bashkuara kanë pasur mungesë të 112 mijë mësuesve. Vetëm në Arizona, këtë vit kanë qenë të lira 7 mijë vende pune për mësimdhënës.
Besohet se arsye për këtë mungesë të dëshirës për t’u bërë mësues është paga e ulët sipas standardeve amerikane. Në Arizona, një mësues paguhet mesatarisht 3 mijë dollarë në muaj.
Ndonëse amerikanëve kjo shifër mund t’iu duket e vogël, për mësuesit filipinas kjo pagë është shumë e madhe në krahasim me atë që e marrin në atdheun e tyre. shkruan “CNN”,