Protestë e paprecedentë e shtypit australian; të gjitha gazetat e së hënës kanë dalë me një faqe të parë thuajse tërësisht të censuruar në një apel të përbashkët për një liri më të madhe informacione në vend.
Iniciativa pason ndërhyrjet e policisë federale qershorin e kaluar, në zbatim të ligjeve të sigurisë kombëtare, në banesën e një gazetari të Neës Corp, dhe në selinë e transmetuesit publik kombëtar, Abc.
Gazetarja Annika Smerhurst e Daily Telegraph, kishte shkruar se qeveria po vlerësonte plane sekrete për ti lejuar shërbimeve sekrete të spiunonin të gjithë australianët. Abc kishte transmetuar ndërkohë një seri dokumentarësh në të cilat shfrytëzoheshin informacione të klasifikuara për Afganistanin që përfshinin edhe prova për krime të mundshme lufte nga ana e trupave speciale australiane. Fushata “e drejta për të ditur” e mediave australiane, kërkon gjashtë reforma, mes të cilave, ligji për të siguruar lirinë e informacionit.
E drejta e organeve të informimit për të kundërshtuar një mandat të përdorur në aksionet e policisë dhe një mbrojtje më të madhe të burimeve për të garantuar që ata të mund të ofrojnë informacione për veprimet e gabuara, pa frikën e ndëshkimit. Fushata po ashtu thekson se pa një shtyp të lirë, episode të sjelljes së keqe dhe abuzimeve që kanë çuar në hetime të rëndësishme në sektorin bankar dhe atë të kujdesit për të moshuarit, nuk do të kishin dalë kurrë në dritë.