Fjalë Kyçe

Pamjet e kamionit ku u gjetën 39 viktima/ Policia: Në orën 1:40 morëm një telefonatë

Pamjet e kamionit ku u gjetën 39 viktima/ Policia: Në orën 1:40 morëm një telefonatë

Policia e Essex në Britaninë e Madhe ka sqaruar se për ngjarjen tragjike e humbjes së jetës së 39 njerëzve është njoftuar nga ambulanca. Në orën 1:40 të mëngjesit, policia thotë se ka marrë një telefonatë nga ambulanca për një kamion të mbushur me njerëz, që qëndronte brenda parkut industrial të Waterglade.

Ndonëse shërbimet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, të 39 njerëzit u klasifikuan të vdekur.

Ndërkohë, mediat britanike kanë publikuar edhe pamjet e kamionit bullgar, brenda të cilit u gjetën viktimat. Pamjet janë xhiruar nga lart, pasi autoritetet kanë ngritur një perimetër të gjerë sigurie për të vijuar me hetimet.

Kamioni është konfirmuar se vjen nga Bullgaria dhe policia thotë se procesi i identifikimit të viktimave do të marrë kohë. Viktimat janë burra dhe gra, ndërsa një prej tyre është adoleshent. Edhe pse nuk ka një konfirmim zyrtar, dyshohet se trupat i përkasin emigrantëve të jashtëligjshëm.

Sekretarja e Brendshme, Priti Patel është shprehur: “Të tronditur dhe të trishtuar nga ky incident krejtësisht tragjik në Grays. Policia e Essex ka arrestuar një individ dhe ne duhet t’u japim atyre hapësirën për të kryer hetimet”.

__________

Ngjarje e tmerrshme në Britani, 39 viktima gjenden brenda një kamioni

Trupat e 39 personave janë gjendur brenda një kamioni në qytetin e Essex, në Britaninë e Madhe. Viktimat janë burra dhe gra, ndërsa një prej tyre është adoleshent. Policia ka arrestuar shoferin e kamionit, një 25 vjeçar nga Irlanda e Veriut, i cili dyshohet si autor i ngjarjes.

Raportohet se kamioni ka mbërritur në ishull nga Bullgaria dhe viktimat u zbuluan teksa qëndronte në parkun industrial të Waterglade.

Policia thotë se ka nisur menjëherë hetimet për identifikimin e viktimave, por procesi parashikohet të jetë i gjatë.

Shefi i Policisë, Andrew Mariner është shprehur: “Ky është një incident tragjik me një numër të madh njerëzish që kanë humbur jetën. Hetimet tona janë duke vazhduar për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Jemi në proces të identifikimit të viktimave. Megjithatë unë parashikoj që ky mund të jetë një proces i gjatë”.