Fjalë Kyçe

Shpërndahen kiflet me afat të skaduar në një shkollë në Prishtinë

Shpërndahen kiflet me afat të skaduar në një shkollë në Prishtinë

Një prind i një nxënësi të shkollës “Dardania” në Prishtinë, të mërkurën ka akuzuar shkollën se po u shpërndan fëmijëve kifle me afat të skaduar.

Si provë për këtë, ai ka shpërndarë një fotografi në të cilën shihej se data kishte skaduar para një muaji.

Visar Xani, prindi që e kishte shpërndarë fotografinë, ka thënë se rastin e ka paraqitur edhe në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës.

E këta të fundit kanë thënë për Gazetën Express se si ka ardhur deri te furnizimi me kifle me afat të skaduar. Për krejt këtë, ka reaguar edhe furra e bukës nga e cila furnizohen shkollat e Prishtinës

Janë bërë pothuajse katër vite prej kur fëmijët e shkollave të kryeqytetit e marrin kifle dhe qumësht falas, e nuk kanë qenë të pakta kritikat për shujtat që për Shpend Ahmetin ishin një ndër premtimet kryesore të përmbushura të fushatës elektorale.

Por, shpesh herë kanë dalë pamje se si fëmijët i kanë hedhur kiflet e dhëna nga shkolla, e madje ka pasur raste kur janë fotografuar kiflet e mykura.

Një ankesë për kiflet e pati edhe një prind i një nxënësi të shkollës “Dardania” në kryeqytet.

Ai ka shpërndarë të mërkurën fotografinë e kifles në të cilën shihet se afati ka skaduar me datën 27 shtator, ndërsa iu është dhënë fëmijëve me datën 23 tetor.

“Unë babai i Jearit po bëj denoncim qe sot ne ëhkollën fillore Dardania ne Prishtine ku ai është nxënës i klasës së II, Jearit dhe fëmijëve u janë shpërnda kifle pa afat pra me afat te skaduar me datë: 27/09/2019. Të nderuar prind, nëse vëreni te fëmijët tuaj ndonjë shqetësim e kanë nga këto kifle pa afat. Shpend Ahmeti vazhdon te na i dëmtoi femijet dhe për këtë do të duhet dikush të ndiqet penalisht. Pasi qe fëmijëve u janë shpërndarë këto kifle një pjesë e nxënësve i kane ngrenë ndërsa ata te cilët nuk i kane ngrënë i kanë dorëzuar aty ku edhe i kane marrë”, kishte shkruar Xani në Facebook.

Për këtë, Visar Xani, ka thënë se e ka lajmëruar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës

Zëdhënësi i AUV’it, Lamir Thaçi, ka shpjguar për Gazetën Express se si ka ardhur deri te shpërndarja e kifleve pa afat në shkollën “Dardania”.

“Pas marrjes së informatës në lidhje me shpërndarjen e kileve me afat të skaduar për nxënësit e shkollës Dardania në Prishtinë ekipi i inspektorëve Sanitar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë ka dalë në vendngjarje.  Bazuar ne sqarimet e drejtorit të shkollës, personit që benë pranimin e ushqimit, dhe fakteve objektive-produktit të ruajtur nga dita paraprake. Gjendja është konstatuar si në vijim: Furnizimi i shkollës me ushqim-shujtë ditore kryhet në orarin nga ora 12:00 deri në ora 13:00. Orari i menysë me kiflet që u shërbehen nxënësve janë 1 ditë kifle me xhem, ndërsa ditën tjetër kifle me eurokrem, ndërsa me datë 23.10.2019 operatori furnizues ka sjellë të dy llojet e produkteve, gjë që nuk ka ndodhur më herët. Njeri nga produktet, pra produkti për të cilin shfaqet ankesa, e që është kifle me eurokrem, sipas deklaracionit në etiketë ka skaduar me datë 27.09.2019, pra pothuajse një muaj nga data e shërbimit apo shpërndarjes për nxënësit”, ka treguar Thaçi.

Ai tutje ka bërë të ditur se me të vërejtur ketë defekt, ka reaguar drejtori i shkollës, duke kthyer produktin ne origjinë tek furnizuesi.

“Është urdhëruar qe produktet para se tu shërbehen fëmijëve të kontrollohen të gjithë parametrat e sigurisë ushqimore, njëri nga këta parametra është edhe data e prodhim- skadimit. Lënda do të procedohet tutje, dhe do të gjurmohet në të gjitha fazat e produktit në fjalë, duke filluar nga prodhimi, shpërndarja, e deri te konsumatori final”, ka theksuar Thaçi.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se nuk ka pasur ankesa as nga prindërit e as nga fëmijët për ndonjë helmim të mundshëm nga ngrënia e këtyre kifleve.

E ndaj krejt kësaj ka reaguar edhe furra e bukës “Premium Bakery”, e cila furnizon shkollat e Prishtinës me kifle.

Përmes një deklarate për media, “Premium Bakery” ka thënë se data e skadimit nëpër qeset e kifleve ka qenë e shtypur gabim.

“Dje me datë 23.10.2019 për shkak të një gabimi teknik në shtypësin e datës së skadimit, një sasi e kifleve për nxënësit e Shkollës Fillore “Dardania” në Prishtinë është furnizuar me datë të skadimit të gabuar. Në vend të datës së skadimit 27.10.2019 është shtypur 27.09.2019, është gabuar muaji i skadimit. Sasia e kifleve për shkollat e Prishtinës prodhohet në baza ditore dhe si rrjedhojë nuk mund të ketë sasi me të cilën furnizohen shkollat me afat të skaduar”, theksohet në komunikatë.