Policia britanike po vazhdon t’i marrë në pyetje katër persona për vdekjen e 39 njerëzve, trupat e të cilëve u gjetën brenda një kamioni të madh në Essex.
Një burrë u arrestua në aeroportin “Stansted” të premten nën dyshimin për vrasje dhe trafikim me qenie njerëzore.
Dy njerëz të tjerë nga Warrington-i u arrestuan për shkak të akuzave të njëjta, ndërsa shoferi i kamionit po mbahet në ndalim nga dita e mërkurë për shkak të dyshimeve për vrasje.
Arrestimet ndodhën në kohën kur po vazhdojnë përpjekjet e autoriteteve për t’i identifikuar viktimat. Policia e ka bastisur shtëpinë e një çifti të dyshuar, shkruan BBC.
Trupat e tetë grave dhe 31 burrave i gjetën në një kamion frigorifer në parkun industrial në Grays. Ky kamion besohet se kishte ardhur nga Bullgaria dhe viktimat kanë prejardhje nga Azia.
Disa familjarë të qytetarëve vietnamezë kanë raportuar se të afërmit e tyre janë zhdukur dhe kanë kërkuar hetime nga policia britanike. Ambasadori kinez dhe ambasadori vietnamez në Britani kanë kërkuar që të luftohet ashpër rrjeti ndërkombëtar i trafikimit të njerëzve.