Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme qeveritare, të rregullatorëve, si dhe të organizatave jo-qeveritare. Po ashtu, si vëzhgues, morën pjesë edhe përfaqësuesit e projektit të Komisionit Evropian “ Lëvizja e Lirë e Mallrave” FMG.
Nga diskutimet e të pranishmëve u mor vendimi që për mbikëqyrjen e zbatueshmërisë së Programit për Mbrojtjen e Konsumatorit 2016-2020 të kërkohet nga institucionet përkatëse, që janë të përfshira në këtë program, të përpilohet raporti përfundimtar në fund të vitit rreth zbatimit të objektivave të parapara sipas programit të Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit. Për këtë pikë, Këshilli vendosi me unanimitet që Lëvizja FOL dhe Instituti GAP, pasi që janë anëtarë të këtij këshilli, ta përgatisin kërkesën që do t’iu dërgohet institucioneve përkatëse për raportim mbi zbatimin e Programit për Mbrojtjen e Konsumatorit, si dhe do të bëjnë mbledhja e të dhënave për raportin final, që do ta përgatisë Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Gjithashtu, në këtë takim, u diskutua edhe gjendja aktuale në fushën e mbrojtjes së konsumatorit, në fusha specifike si: sektori energjetik, sektori i derivateve dhe sektori financiar dhe sektorë të ndryshëm vitalë për konsumatorët.
Në fund u diskutua edhe për mundësitë e asistimit tek organizatat donatore, që gjatë aplikimit të organizatave për mbrojtjen e konsumatorit në fonde të ndryshme tek donatorët të mund të gjenden forma mbështetëse dhe më të lehta për t’i përkrahur këto organizata.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të angazhohet vazhdimisht në mbështetje të konsumatorëve.