Fjalë Kyçe

Lëndohen 10 punëtorë gjatë punimeve në Kumanovë, dy në gjendje kritike

Lëndohen 10 punëtorë gjatë punimeve në Kumanovë, dy në gjendje kritike

10 punonjës u lënduan në një kantier ndërtimi në Kumanovë.

Dy prej tyre janë në gjendje të rëndë.

Deri te fatkeqësia ka ardhur kur rrjeta prej hekuri sipër të cilës ndërtoheshin themelet e pallatit, ka rënë mbi punëtorët të cilët po kryenin punimet e rregullta.

Të lënduarit janë dërguar me urgjencë në spitalin e Kumanovës, ku u është ofruar ndihma mjekësore. Për shkak të seriozitetit të lëndimeve, katër nga punëtorët janë dërguar në Klinikat e Shkupit, kurse tjerët po trajtohen në Spitalin e Kumanovës.

Të lënduarit janë të gjithë të moshës deri në 30 vjeçare.

“Dy pacientë ishin në gjendje kritike, nga të cilët njëri është sjellë pa vetëdije, gjatë arritjes në spital edhe pacienti i dytë i lënduar më rëndë ka humbur vetëdijen. Menjëherë u është dhënë ndihmë me aparatura me oksigjen. Për shkak të seriozitetit të lëndimeve, me ekipin e ndihmës së shpejtë janë transferuar në Qendrën urgjente pranë klinikave të Shkupit. Punëtorët e tjerë janë duke u trajtuar në Spitalin e Kumanovës për t’u konfirmuar gjendja e tyre shëndetësore, për momentin janë në gjendje stabile. Në konsultim me mjekët kirurgë kujdestarë, punëtorët do të mbahen në spitalin ditor, me qëllim që të përcillet gjendja e tyre shëndetësore dhe nëse ka nevojë do të hospitalizohen në Kumanovë, ose do të dërgohen në Qendrën klinike në Shkup”, deklaroi drejtoresha e Spitalit në Kumanovë, Snezhana Zaharieva.

TVM2 nga burimet spitalore mëson se në klinikat e Shkupit janë dërguar edhe dy punëtorë tjerë për mjekim të mëtejmë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori publik bashkë me ekipet e krim-teknikës pranë MPB-së, të cilët po kryejnë hetime rreth fatkeqësisë së shkaktuar.