Fjalë Kyçe

Rezultatet përfundimtare pas disa dite, ankesat mund ta vonojnë certifikimin e zgjedhjeve

Rezultatet përfundimtare pas disa dite, ankesat mund ta vonojnë certifikimin e zgjedhjeve

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se shpallja e rezultateve përfundimtare mund të bëhet menjëherë pas përfundimit të numërimit të votave nga diaspora.

E pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, nëse nuk do të ketë ankesa, pas 24 orëve do të bëhet certifikimi i zgjedhjeve.

Daka në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se një deklaratë e saj se certifikimi i zgjedhjeve mund të shkojë deri në dhjetor është nxjerr nga konteksti.

E pyetur se a mund të shpallen rezultatet përfundimtare pas përfundimit të numërimit të votave të diasporës të cilat kanë ardhur me vonesë, ajo ka pohuar një gjë të tillë derisa ka shtuar se nëse nuk do të ketë ankesa 24 orë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare do të certifikohen zgjedhjet.

Ajo tha se bazuar në praktikën e mëhershme gjithmonë ka pasur ankesa pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, e që e kanë shtyrë certifikimin e zgjedhjeve.

“Po natyrisht nëse nuk ka ankesa, ne 24 orë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare do t’i certifikojmë zgjedhjet. Unë shumë kisha dëshiruar që të mos kemi, por nga përvoja e viteve të kaluara, unë e di që ka ankesa gjithmonë në PZAP dhe pastaj ka të drejtë ankese edhe në vendim të PZAP-së në Gjykatën Supreme, që automatikisht e shtyn certifikimin e rezultateve dhe unë jam nisur nga kjo. Përndryshe nëse nuk kemi ankesa në shpalljen e rezultateve përfundimtare do t’i certifikojmë rezultatet menjëherë 24 orë pas përfundimit të afatit për ankesa”, tha ajo.

E para e KQZ-së, Valdete Dala deklaroi se do të zbatojnë çdo vendim të PZAP-it, nëse do të ketë vendim për rinumërim të të gjitha votave. Ajo shtoi se ky vendim do të shtynte certifikimin e zgjedhjeve.

Se shpallja e rezultateve përfundimtare mund të bëhet menjëherë pas përfundimit të numërimit të votave nga diaspora e thotë edhe anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Adnan Rrustemi, i cili thotë se pret që shumë shpejt të ndodhë edhe certifikimi i rezultateve përfundimtare.

Rrustemi deklaroi se partitë politike nuk kanë bazë në ankesat e tyre për rinumërim të të gjitha kutive të votimit.

Kujtojmë se me aktgjykim të Gjykatës Supreme do të numërohen 4 mijë e 639 fletëvotime të votuesve jashtë Kosovës, ku numërimi i tyre do të bëhet pas shqyrtimit dhe vlerësimit të zarfeve.