Kosova ka një deficit vjetor tregtar që arrin shifrën e rreth tre miliardë eurove apo 44.6 për qind të Produktin e Brendshëm Bruto.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës për vitin e kaluar, vlera e importit të produkteve të huaja në vendin tonë kishte arritur shifrën mbi tre miliardë eurove, kurse eksporti i produkteve të Kosovës në vendet e rajonit dhe Evropës ishte mbi 360 milionë euro.
“Rënia e eksportit të mallrave si dhe rritja e konsiderueshme e importit ka ndikuar që deficiti në tregtinë e mallrave të shënoj rritje prej 11.3 për qind dhe të arrijë në rreth tre miliardë euro. Në raport me Produktin e Brendshëm Bruto, deficiti i tregtar i mallrave ka arritur në 44.6 për qind nga 41.6 për qind sa ishte në vitin 2017. Vlera e eksportit të mallrave zbriti në 367.3 milionë euro, që përkon me një rënie vjetore prej 2.8 për qind”, thuhet në raportin vjetor të BQK-së, shkruan Telegrafi.
BQK thotë se rritja e kërkesës së brendshme ka ndikuar në rritjen e importit.
“Rritja e kërkesës së brendshme gjatë vitit 2018 ka ndikuar në rritjen e importit, vlera e përgjithshme e të cilit arriti në 3.3 miliardë euro dhe shënoi rritje vjetore prej 9.6 për qind. Në kuadër të importit të mallrave, rritja më e lartë është shënuar tek importi i metaleve bazë, pasuar nga importi i makinerive dhe pajisjeve mekanike, importi i tekstilit dhe artikujve të tekstilit dhe importi i produkteve minerale”.
“Deficiti i llogarisë rrjedhëse dhe kapitale në vitin 2018 ka shënuar vlerën prej 551.7 milionë euro, që është për 39.7 për qind më i lartë krahasuar me vitin 2017. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, deficiti i llogarisë rrjedhëse dhe kapitale ka arritur në 8.2 për qind nga 6.2 për qind sa ishte në vitin 2017. Rritja e deficitit të llogarisë rrjedhëse dhe kapitale i atribuohet rritjes së deficitit të mallrave si dhe zvogëlimit të bilancit pozitiv të shërbimeve. Në anën tjetër, bilancet pozitive të llogarisë së të ardhurave parësore dhe dytësore kanë shënuar rritje”, vijon raporti i BQK-së.
Në raport, Banka Qendrore e Kosovës thekson se “deficiti i lartë tregtar, i cili është pasojë e mospërputhjes së lartë ndërmjet vlerës së eksporteve dhe të importeve, vazhdon të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike”.
Ndërkaq, në të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, theksohet se eksporti i mallrave arriti në 32.3 milionë euro, ndërsa importi në 315.1 milionë euro.
Sipas ASK-së, në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, në muajin tetor kishte një deficit të lartë tregtar prej 4.5 për qind, gjegjësisht në vlerë prej 282.7 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 270.5 milionë eurosh në vitin 2018.
kishte vlerën 32.3 milionë euro, ndërsa importi 315.1 milionë euro, që është një rënie prej 15.6 për qind për eksport, kurse një rritje prej 2 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018”, tregon ASK në raportin “Statistikat e Tregtisë së Jashtme, tetor 2019”, shkruan Telegrafi.
Në muajin tetor 2019, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së, sipas ASK-së, arritën në 14.3 milionë euro ose 44.4% për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 10.4 për qind, ndërsa importet arritën në 45 milionë euro, me një rënie prej 47.8 për qind.
Kjo rënie e importeve nga vendet e CEFTA-së, i atribuohet vendosjes së tarifës doganore 100 për qind për importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë që nga vendosja e tarifës 100 për qind, Serbia ka eksportuar 430 milionë euro mallra më pakë në drejtim të vendit tonë. Berisha ka shpjeguar se importi i mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është zëvendësuar nga vendet e rajonit apo të Bashkimit Evropian.
“Dogana që me marrjen e vendimit e ka zbatuar 100 për qind, jemi të obliguar ta zbatojmë. Fillimisht në fund vitin e kaluar ka ndikuar pak në të hyrat doganore, për arsye deri sa është stabilizuar komuniteti i biznesit, pra kanalet e reja të biznesit, furnizimet e reja. Nëse marrim vitin 2019, kjo nuk ka ndikuar për arsye se importi i atyre produkteve të cilat kanë ardhur nga këto dy vende janë zëvendësuar nga vendet e rajonit apo qoftë nga vendet tjera të BE-së”, shpjegon Berisha.
ASK thotë se, eksportet dhe importet me vendet e Bashkimit Evropian për muajin tetor 2019 u rritën me rreth 29 për qind.
“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 13.2 milionë euro ose rreth 41.1 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 29 për qind, ndërsa importet ishin rreth 160.3 milionë euro ose 50.9 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 28.9 për qind”, thekson ASK në raport. /Telegrafi/