Disa organizata joqeveritare nga Kosova si dhe ato ndërkombëtare kanë nisur të hënën një ankesë zyrtare në mekanizimin për zgjidhjen e konflikteve të komunitetit të energjisë, duke sfiduar legjitimitetin e marrëveshjes për blerje të energjisë elektrike në kuadër të projektit “Kosova e Re”, që aktualisht është duke pritur ratifikimin në Parlamentin e Kosovës.
Në ankesë të nisur nga Fondacioni, Balkan Green, Instituti GAP, Grupi për Studime Politike dhe Juridike, INDEP dhe CEE Bankwatch Network, pretendohet se marrëveshja 20-vjeçare për blerje të energjisë elektrike, e nënshkruar nga Qeveria e Kosovës me kompaninë, ContourGlobal në dhjetor të vitit 2017, nuk është në përputhshmëri me rregullat e Traktatit të Komunitetit të Energjisë.
Në ankesë, po ashtu është thënë se ContourGlobal përfiton më shumë kundrejt prodhuesve tjerë të energjisë.
Në një komunikatë të lëshuar nga këto organizata vlerësohet se kontrata aktuale do të krijonte vështirësi për buxhetin shtetëror dhe konsumatorët e energjisë elektrike në Kosovë, pasi garanton që kompania shtetërore do të blejë gjithë energjinë e prodhuar nga ContourGlobal me një “çmim të targetuar” prej 80 euro për megavat, që përbën çmim shumë më të lartë për energjinë në krahasim me rajonin.