Gjashtë njerëz u konfirmuan të vdekur nga shpërthimi i vullkanit në Zelandën e Re. Tetë njerëz të tjerë mbeten të zhdukur, ndërsa rreth 30 kanë plagë serioze.
Vullkani shpërtheu të hënën në Ishullin e Bardhë, ku besohet se gjendeshin dhjetëra vetë.
Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, i falënderoi të martën ekipet e shpëtimit për, siç tha, guximin në rrethana jashtëzakonisht të rrezikshme. “Me ata që kanë humbur ose kanë të zhdukur familjarë dhe miq, ne ndajmë pikëllimin dhe dhimbjen”, tha Ardern.
Në Ishullin e Bardhë, në kohën kur shpërtheu vullkani, ndodheshin së paku 47 njerëz nga vende të ndryshme të botës.
Tani, po ngrihen pyetje se përse turistët janë lejuar t’i afrohen zonës vullkanike, që është më aktivja në Zelandën e Re, vetëm tri javë pasi sizmologët kanë lëshuar alarmin për mundësinë e shpërthimit. “Këto pyetje duhet të bëhen dhe ato duhet të kenë përgjigje”, tha Ardern në parlament.
Hetimet e policisë janë në zhvillim e sipër. Javëm e kaluar, edhe ueb-faqja e monitorimit të rreziqeve gjeologjike GeoNet paralajmëroi se “vullkani mund të jetë duke hyrë në një periudhë kur aktiviteti shpërthyes ka më shumë gjasa të ndodhë”.
Megjithatë, ajo shtoi se “niveli aktual i aktivitetit nuk paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për vizitorët”, transmeton rel. Aktualisht, niveli i alarmit është në tre, çfarë do të thotë se ka rrezik nga një “shpërthim i vogël vullkanik”.