Organizata më e fortë kriminale në Meksikë sulmoi një stacion policie të mërkurën, duke vrarë tre policë, duke plagosur dy të tjerë dhe rrëmbyer katër zyrtarë, përfshirë një gjykatës.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, sulmi i Kartelit të Jalisco u zhvillua në Villagrán, një komunë në Guanajuato, shteti më vdekjeprurës i Meksikës.
Të paktën 15 persona të armatosur hapën zjarr dhe hodhën një granatë në ndërtesë në orën 8:30 të mbrëmjes me orën lokale.
Mediat ndërkohë kanë identifikuar oficerët e rënë si Enrique Alfaro, José Trejo dhe Erendesis Villalpando.
Gjithashtu janë identifikuar tre nga katër viktimat e rrëmbyer si María Guadalupe, José Juan dhe Pedro Antonio.
Ndërsa disa imazhe të sulmit treguan tre policët e vdekur në vendngjarje. Dëshmitarët i thanë gazetës meksikane El Financiero se sulmi zgjati afro 10 minuta. Anëtarët e bandave i vunë zjarrin një traktori me rimorkio për të bllokuar autoritetet që të ndiqnin ata pas sulmit.
Sulmi i ngjashëm me luftën u bë një ditë pasi kryetari i Villagrán-it, Juan Lara Mendoza pretendoi se qyteti i tij ishte më i sigurti.
Të dhënat e qeverisë të publikuara në nëntor treguan se Guanajuato regjistroi 2,865 vrasje, shifër më e lartë midis 32 shteteve të Meksikës gjatë 10 muajve të parë të 2019-ës.