Partia Konservatore e kryeministrit britanik, Boris Johnson, udhëheq bindshëm në zgjedhjet e parakohshme parlamentare me 362 deputetë, tregojnë rezultatet paraprake që i publikoi BBC, në bashkëpunim me ITV-në dhe Sky News-in.
Kjo do të thotë se Konservatorët kanë 36 deputetë më shumë se shumica e nevojshme prej 326 ligjvënësish për të formuar qeverinë.
Zgjedhjet e përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar u mbajtën të enjten.
Sipas rezultateve paraprake, Partia Laburiste siguroi 199 deputetë, Partia Kombëtare e Skocisë 52 dhe Liberal-Demokratët 13.
Johnson tha se partia e tij ka siguruar mandat të fuqishëm për të përfunduar Brexit-in, apo daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian.
“Jo vetëm kaq, por edhe ta bashkojmë vendin dhe ta çojmë përpara”, tha Johnson.
“Mendoj se këto janë zgjedhje historike që na japin mundësinë të respektojmë vullnetin e qytetarëve, ta ndryshojmë këtë vend për më mirë dhe të hapim potencialin e të gjithë qytetarëve të tij”, shtoi Johnson.
Përmes një postimi në Twitter, ai i falënderoi qytetarët britanikë dhe tha: “Jetojmë në demokracinë më të madhe në botë”.
Nëse rezultatet konfirmohen, kjo do të jetë fitorja më e madhe e Konservatorëve qysh në vitin 1987 dhe rezultati më i keq i Laburistëve qysh më 1935, pasi këta të fundit mund të humbasin 71 vende.
Udhëheqësi i Laburistëve, Jeremy Corbyn, tha se partia e tij pati një “natë shumë zhgënjyese” dhe se ai nuk do të luftojë më në zgjedhje të ardhshme.
Këto janë zgjedhjet e treta të përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar në më pak se pesë vjet.
Fushatën parazgjedhore e ka dominuar Brexit-i, apo vendimi i Britanisë për të dalë nga blloku evropian.
Johnson është përqendruar në një mesazh të vetëm: “Përfundojeni Brexit-in”, duke premtuar se Britania do të jetë jashtë BE-së deri më 31 janar të vitit 2020, nëse ai e fiton shumicën.
Qytetarët britanikë kanë votuar për Brexit-in në një referendum në vitin 2016, por realizimi i procesit është shtyrë për shkak të mosmarrëveshjeve politike në Britani.
Rivali kryesor i Johnsonit, Corbyn, u ka premtuar votuesve referendum të ri, duke zgjedhur midis mundësisë së rinegocimit të marrëveshjes për Brexit ose mundësisë për të mbetur në BE.
Megjithatë, premtim kryesor i Corbynit ka qenë përfundimi i masave të kursimeve dhe rritja e shpenzimeve për shërbimet publike dhe Shërbimin Kombëtar të Shëndetit.
Liberal-Demokratët kanë premtuar anulimin e Brexit-it, nëse udhëheqësja e tyre, Jo Swinson, do të bëhej kryeministre.
Partia Kombëtare Skoceze ka thënë se votimi për të do të ishte në të vërtetë mandat për një referendum të dytë të pavarësisë.
Parlamenti britanik përbëhet prej 650 ligjvënësish dhe kur një parti fiton më shumë se gjysmën e tyre, ajo formon qeverinë dhe udhëheqësi i saj bëhet kryeministër.
Për dekada, qeveritë e tilla të shumicës ishin rezultati më i zakonshëm. Por, kjo ka ndodhur vetëm një herë në tri palë zgjedhjet e kaluara.
Dy rastet e tjera kanë prodhuar “parlamente të varura”, me asnjë parti mjaftueshëm të fuqishme sa për të qeverisur e vetme.
Në të tilla raste, partia më e madhe zakonisht ka mundësinë e parë për të mbledhur shumicën parlamentare dhe për të formuar qeverinë.
Rezultati i parë zyrtar i zgjedhjeve të 12 dhjetorit pritet të premten herët.