Ekzistojnë disa shenja në rritje që grupi i ashtuquajtur Shtet Islamik është duke u riorganizuar në Irak, dy vjet pasi e kishte humbur territorin e fundit në këtë shtet.
Zyrtarët e inteligjencës kurde dhe perëndimore thonë se prania e ISIS-it në Irak është një kryengritje e sofistikuar dhe se sulmet e këtij grupi janë duke u shtuar.
Sipas Lahur Talabany-t, zyrtar i lartë kurd kundër terrorizmit, tha se militantët e këtij grupi tashmë janë më të shkathët dhe më të rrezikshëm sesa anëtarët e grupit “Al-Qaeda”.
“Ata tash kanë teknika më të mira, taktika më të mira dhe shumë më shumë të holla në dispozicion. Ata kanë mundësi të blejnë automjete, armë, ushqim dhe pajisje”, tha ai.
Militantët e ISIS-it po përfitojnë edhe nga marrëdhëniet e tensionuara mes Bagdadit dhe qeverisë rajonale të Kurdistanit, pas referendumit kurd për pavarësi në vitin 2017.
Zyrtarët kurdë të inteligjencës besojnë se ISIS-i në Irak i ka rreth pesë mijë luftëtarë dhe pesë mijë përkrahës të tjerë, të cilët janë të gatshëm t’i bashkohen grupit.
Talabany thotë se komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë i brengosur për këtë gjendje, shkruan “BBC”,