Avionët ushtarakë izraelitë kryen sulme ajrore në Rripin e Gazës, si përgjigje ndaj një sulmi me raketë, të shkrepur nga enklava palestineze e kontrolluar nga Hamasi, një grup militant islamik që kontrollon Gazën qysh në vitin 2007.
Alarmi paralajmërues për fillimin e sulmeve e ndërpreu përkohësisht një tubim të kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, raporton AFP.
Të enjten, kryeministri do të përballet me rivalin e tij, Gideon Saar, në një votim për zgjedhjen e udhëheqjes së re të partisë Likud.
Më 10 shtator, kreu i partisë Likud, Benjamin Netanyanu ishte evakuuar gjithashtu nga një tubim zgjedhor, në qytetin jugor të Ashdod, pasi sinjalet e alarmit paralajmëruan për një sulm nga Gaza.
“Aeroplanët dhe helikopterët goditën disa objektiva terroriste të Hamasit në Rripin e Gazës” tha ushtria izraelite në një deklaratë.
Ushtria kishte njoftuar më herët se “një raketë u hodh nga Rripi i Gazës në drejtim të territorit të Izraelit”.
Javën e kaluar, dy sulme raketash u nisën kundër Izraelit nga Gaza pa shkaktuar dëme, tha ushtria e Izraelit.
Si përgjigje, aeroplanët luftarakë izraelitë dy herë bombarduan caqet e Hamasit në Gaza.
Izraeli e mban përgjegjëse lëvizjen islamike, për të gjitha sulmet me raketa që vijnë nga Gaza, megjithëse shteti hebre gjithashtu shënjestron grupe të tjera të armatosura që veprojnë atje.
Që prej vitit 2008, Izraeli ka zhvilluar tre luftëra kundër Hamasit dhe aleatëve të tij të armatosur në Gaza, ku dy milion palestinezë jetojnë mes dhunës, varfërisë dhe një bllokade 10-vjeçare izraelite.
Konflikti i madh i fundit, më 2014, ka zgjatur 50 ditë dhe ka përfunduar me 2,000 palestinezë të vrarë, përfshirë qindra civilë, dhe me 73 të tjerë të vrarë nga ana izraelite.