Fjalë Kyçe

Princ Harry dhe Meghan largohen nga familja mbretërore

Princ Harry dhe Meghan largohen nga familja mbretërore

Princ Harry dhe gruaja e tij Meghan Markle kanë vendosur të tërhiqen nga pozicioni i anëtarëve të lartë të familjes mbretërore britanike. Është gazetari britanik, Piers Morgan, që publikon në Twitter një mesazh të Harry dhe Meghan ku sqarojnë arsyet e largimit.

“Ne synojmë të tërhiqemi si ‘anëtarë të lartë’ të familjes mbretërore dhe të punojmë për t’u bërë të pavarur financiarisht, duke vazhduar të mbështesim plotësisht Mbretëreshën”, thuhet në letrën e Dukës dhe Dukeshës së Sussex.

Më tej, thuhet se “tani planifikojmë të ekuilibrojmë kohën tonë midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Amerikës së Veriut, duke vazhduar të respektojmë detyrën tonë ndaj Mbretëreshës dhe Komonuelthit”.

“Ky ekuilibër gjeografik do të na mundësojë të rrisim djalin tonë me një vlerësim për traditën mbretërore në të cilën ai lindi, duke i siguruar gjithashtu familjes tonë hapësirën për t’u përqëndruar në kapitullin tjetër, përfshirë këtu edhe fillimin e entitetit tonë të ri bamirës. Ne mezi presim të ndajmë detajet e plota të këtij hapi tjetër emocionues në kohën e duhur, ndërkohë që vazhdojmë të bashkëpunojmë me Mbretëreshën, Princin e Uellsit, Dukën e Kembrixhit dhe të gjitha palët përkatëse. Deri atëherë, ju lutemi pranoni falënderimet tona më të thella për mbështetjen tuaj të vazhdueshme”, thuhet në letër.

Prince Harry dhe Meghan Markle u martuan më 19 maj të 2018-s dhe janë prindër të një djali.