Bill Gates e kishte parashikuar shpërthimin e një epidemie në Kinë, e madje magnati i Microsoftit, sipas “The Sun” kishte paralajmëruar se nëse nuk frenohet, një virus i nisur nga ky vend mund të vrasë 33 milionë njerëz në të gjithë botën në gjashtë muajt e parë e përhapjes.
Këtë shifër, ai e nxori bazuar në një simulim të pandemisë në kompjuter. Gates paralajmëronte se bota rrezikohet seriozisht nga super patogjenët që përhapen me shpejtësi në mbarë planetin.
“Duhet të përgatitemi ashtu siç do të bënim nëse do të ishim në luftë”, pat deklaruar ai. Miliarderi i kishte bërë këto komente gjatë një konferencë të organizuar nga Massachusetts Medical Society.
Gates qe shprehur qartë se ekziston një fushë, ku nuk po bëhet shumë progres, e ajo është pikërisht përgatitja ndaj pandemive.
“Në rastin e urgjencave biologjike, sensi i alarmit mungon. Bota duhet ta marrë këtë seriozisht”, tha filantropisti, i cili i ilustroi fjalët e tij edhe me një studim të hollësishëm të Institutit që ndjek zhvillimin e sëmundjeve, ku tregohej sesa shpejt dhe me cfarë lehtësie mund të përhapen sëmundjet infektive sot nëpër botë.
Tani, një vit më vonë, shkruan “The Sun”, pas shfaqjes së virusit në Wuhan të Kinës, bota përballet me një kërcënim të ri dhe rastet e të prekurve po shtohen me një ritëm tmerrues.
OBSH-ja, megjithatë, ka refuzuar deri tani të shpallë një emergjencë ndërkombëtare të shëndetit, me arsyetimin se “ është ende herët”.