Drama e lidhur me mocionin e shkarkimit të presidentit amerikan Donald Trump, e cila e ka mbajtur të mbërthyer Washingtonin që nga muaji shtator, është përmbyllur të mërkurën.
Senati amerikan e ka shpallur të pafajshëm presidentin Donald Trump për akuzën e abuzimit me pushtetin, siç ishte akuzuar nga Dhoma e Përfaqësuesve. Trumpi po ashtu u shpall i pafajshëm edhe ndaj akuzës tjetër për pengim të Kongresit gjatë hetimit të tij.
Ndonëse vota është cilësuar historike, lirimi i të parit të SHBA-së ka qenë i pritur. Kjo, pasi që një shumicë prej dy të tretave ishte e domosdoshme për largimin e tij.
Republikanët mbajnë 53 prej 100 ulëseve të Senatit dhe vetëm Mitt Romney nga Republikanët kishte paralajmëruar se nuk do të votojë në favor të presidentit amerikan.
Trumpi, presidenti i 45-të i SHBA-së, do të duhej t’ia dorëzonte detyrën nënpresidentit Mike Pence, po të dënohej për ndonjërën prej të dy akuzave.
Duke e lënë pas vetes kapitullin më të errët të presidencës së tij, Trumpi 73-vjeçar tani e ka zhvendosur fokusin në synim të një mandati të dytë në zgjedhjet e 3 nëntorit.