Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë ka reaguar pas zhvillimeve që ndodhën gjatë javës në Kuvendin e Kosovës.
Përmes një postimi në Twitter, kjo ambasadë ka shprehur shqetësim për ngjarjet që ndodhën në Kuvend.
Ambasada e Britanisë thekson se është e rëndësishme që pohimet për krimet e rënda gjatë konfliktit të hetohen nga institucionet e duhura.
“Të shqetësuar për ngjarjet që ndodhën në Kuvend javën e kaluar. Është e rëndësishme që pohimet për krime të rënda gjatë konfliktit të hetohen nga institucionet e duhura, mbi të gjitha duke u dhënë përparësi drejtësisë dhe mbështetjes për të mbijetuarit, viktimat dhe familjet, sipas sundimit të ligjit dhe jo oportunizmit politik”, shkruan në Twitter, Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë.
Ndryshe në seancën e Kuvendit që u mbajt këtë javë, deputetët miratuan rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë.
Ajo që u komentua më së shumti në këtë seancë ishte fotografia të cilën e shfaqi deputetja Flora Brovina, në të cilën pretendohej se një grua kosovare ishte dhunuar ndaj forcave serbe. Mirëpo pas raportimeve ajo fotografi doli të ishte marrë nga një film pornografik, dhe e gjithë kjo shkaktoj reagim të madh në Kosovë.