Në Itali, numri i vdekjeve nga epidemia e coronavirusit është rritur në mënyrë dramatike në 24 orët e fundit, edhe përkundër futjes në karantinë të Lombardisë dhe rajoneve të tjera në veri të vendit, virusi vdekjeprurës po vazhdon të përhapet.
Vetëm në një ditë, në Itali vdiqën 133 njerëz, dhe kjo është e mjaftueshme për të thënë se sa e vështirë është situata, transmeton Telegrafi. Italia është bërë shteti i dytë me më së shumti vdekje dhe të infektuar në botë, menjëherë pas Kinës.
Agjencia e Mbrojtjes Civile raportoi të dielën se numri i rasteve të infektuara nga coronavirusi është rritur me 25 për qind në 24 orët e fundit ose përkthyer në numra është 7,375 persona të infektuar, dhe numri i vdekjeve nga coronavirusi është rritur për 57 për qind, duke e çuar numrin e të vdekurve në 366 (133 vdekje vetëm sot), rritja më e lartë ditore që kur vendi shpalli një epidemi dy javë më parë.
Kufizimet mbulojnë 16 milionë njerëz dhe do të qëndrojnë në fuqi deri më 3 prill, me dekretin e nënshkruar nga kryeministri Giuseppe Conte brenda natës.
Njerëzit u përpoqën të dilnin nga pjesa e bllokuar e Italisë
Mijëra njerëz, kryesisht në Lombardi, u përpoqën të hipnin në trena ose të linin rajonin e bllokuar. Autoritetet dërguan qindra oficerë policie dhe punonjës shëndetësie dhe kontrolluan pasagjerët. Ata nga Lombardia u regjistruan dhe u urdhëruan të izolohen.
The Guardian shkruan se kjo ishte për shkak të një rrjedhje informacioni se Lombardia do të izolohej edhe më shumë, duke i çuar njerëzit edhe më shumë në panik.
Rajonet veriore italiane të Lombardisë, Emilia-Romagna dhe Veneto janë qendra e shpërthimit e epidemisë në Itali.
Avionët po fluturojnë për momentin, por ndryshimet mund të vijnë së shpejti. Ndërkohë, Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetit Tedros Adhanom Ghebreyesus vlerësoi masat e marra nga qeveria italiane.
“Qeveria dhe populli italian janë duke ndërmarrë hapa të guximshëm që synojnë të ngadalësojnë përhapjen e coronavirusit dhe të mbrojnë popullsinë e vendit”, shkruajti në Twitter Ghebreyesus, duke shtuar se italianët po “sakrifikojnë vërtet veten e tyre”.
“OBSH është në solidaritet me popullin italian dhe vazhdon t’ju mbështesë”, shkroi ai