Më shumë se 276 mijë njerëz janë infektuar dhe rreth 11 mijë e 400 kanë vdekur deri më tani nga koronavirusi në mbarë botën, bazuar në të dhënat e faqes “Worldometers”.
Në Shtetet e Bashkuara, rreth 70 milionë njerëz do të jenë në karantinë duke filluar ng kjo fundjavë, përfshirë amerikanët në Nju Jork, Illinois dhe Kaliforni.
Kolombia ka marrë vendim për futjen e tërë vendit në karantinë duke filluar nga e marta e ardhshme. Të njëjtin vendim e ka marr edhe Jordania.
Kina nuk ka raportuar asnjë rast të transmetuar përbrenda vendit, por numri i rasteve të personave që janë infektuar në vendet e huaja po vazhdon të rritet. Një dukuri e tillë po vërehet edhe në Korenë Jugore.
Në Singapor janë konfirmuar dy vdekjet e para nga koronavirusi, shkruan “The Guardian”.
Në Tajlandë u shënuan 89 raste të reja të infektimeve të shtunën. Kjo paraqet shifrën më të madhe ditore në këtë shtet që nga fillimi i përhapjes së virusit.
Numri i rasteve të koronavirusit ka shkuar në mbi një mijë së fundi në Japoni, Australi dhe Kanada.
Vendet që kanë njoftuar më shumë për raste të reja vdekjeje në 24-orëshin e fundit janë Italia me 627 vdekje, Spanja me 235 dhe Irani me 149.
Kina (përjashtuar territoret e Hong Kongut dhe Makaos) regjistroi gjithsej 80 976 raste, përfshirë 3 248 vdekje dhe 71 150 të shëruar. 48 raste infektimi dhe 3 vdekje u njoftuan midis të enjtes dhe të premtes.
Që nga dita e djeshme, Peru, Serbi, Gabon kanë njoftuar vdekjet e para nga COVID-19. Haiti, Kepi i Gjelbër, Madagaskari, Ishujt e Virgjër Amerikanë, njoftuan rastet e para të infektimit.
Azia – 94 735 raste (3 432 viktima).
Europa – 122 707 raste (5 976 viktima).
Lindja e Mesme – 22 110 raste (1 452 viktima).
SHBA dhe Kanadaja – 14 927 raste (214 viktima).
Amerika Latine dhe Karaibet – 2 633 raste (25 viktima).
Oqeania 917 raste (7 viktima).
Afrika – 907 raste (23 viktima).