Kisha Katolike të premten ka vendosur t’u ofrojë falje të mëkatëve personave që janë prekur nga koronavirusi.
Sidoqoftë, këtë e ka bërë me disa kushte.
Në dekretin e publikuar të premten nga Vatikani përfshihen edhe punëtorët shëndetësorë dhe njerëzit që luten për mirëqenien e tyre. Nga Kisha Katolike mund të falen edhe të afërmit që përkujdesen për familjarët e sëmurë.
Vendimi i përfshin personat e sëmurë që e bëjnë një numër të caktuar të lutjeve pas organizimeve të rëndësishme fetare nga largësia, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.
Ata që luten për mirëqenien e personave që ofrojnë kujdes duhet gjithashtu ta lexojnë Biblën për së paku gjysmë ore për t’i plotësuar kushtet e dekretit.
Vetë Vatikani e ka konfirmuar një rast të infektimit me koronavirus dhe e ka mbyllur Sheshin “Shën Pjetri” për ta parandaluar përhapjen e sëmundjes së re. Shteti i vogël tashmë i ka mbyllur edhe muzetë.
Papa Françesku besohet të jetë testuar për koronavirus dhe të jetë konfirmuar si person i shëndoshë pasi kishte kontakte me besimtarët dhe kishte shfaqur simptoma të ftohjes.
Ndryshe, së paku 18 priftërinj kanë vdekur deri më tani në Itali si pasojë e infektimit me koronavirus. Italia është vendi më i goditur në Evropë nga virusi i ri.