Fjalë Kyçe

Irani nuk tundohet nga pandemia, mohon ndihmën amerikane

Irani nuk tundohet nga pandemia, mohon ndihmën amerikane

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka thënë gjatë një fjalimi të transmetuar në televizion se oferta e Shteteve të Bashkuara për ta ndihmuar vendin e tij në luftën kundër koronavirusit është e çuditshme, ndërsa udhëheqësit amerikanë i ka cilësuar si sharlatanë dhe gënjeshtarë.

“Amerikanët disa herë na kanë ofruar ndihmë për ta luftuar pandeminë. Kjo është e çuditshme, sepse ju përballeni me mungesa në Amerikë. Ju gjithashtu akuzoheni për krijimin e virusit”, tha Khamenei, i cili e ka fjalën e fundit për vendimet e shtetit iranian.

“Nuk e di nëse këto janë të vërteta. Por kur ka dyshime të tilla, a mundet një njeri i zgjuar të ju besojë dhe ta pranojë ofertën tuaj për ndihmë? Ju mund t’i jepni Iranit ilaçe që e përhapin virusin ose që bëjnë që ai të mbetet këtu përgjithmonë”, shtoi ai.

Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara u rritën në janar të këtij viti, kur forcat amerikane e vranë përmes një sulmi me dron komandantin e lartë iranian, Qassem Soleimani. Irani kërcënoi me hakmarrje të ashpër, por nuk bëri diçka më shumë sesa disa sulme me raketa afër ambasadës amerikane në Irak, ku nuk pati viktima.

Këto vende kanë raporte të tensionuara për shkak të prgramit bërthamor të Iranit, që është bërë shkak për vendosjen e sanksioneve të rënda ekonomike ndaj republikës islamike, shkruan “Reuters”.